Festivali i komuniteteve rom, ashkali, egjiptas bashkoi të rinj të talentuar

22 Nëntor, 2020 - 7:30 pm

Diskrimineve dhe paragjykimeve për ta, ata kanë vendosur t’iu përgjigjen nëpërmjet sukseseve dhe rrëfimeve rrëqethëse të rrugëtimit të tyre. Festivali Multikulturor nën moton “T’i festojmë ngjashmëritë tona” bashkoi të rinj të talentuar të komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian, shkruan KultPlus.

Shoqërisë e cila shpesh ka tentuar t’ia ‘ndal’ zërin, i folën nëpërmjet artit, duke i kthyer frymëzimet artistike thirrje për trajtim të barabartë dhe diversitet. Edicioni i dytë i festivalit multikulturor u zhvillua përgjatë datave 16-20 nëntor, nën organizim e OJQ ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo’.

Festivali ballinën e së cilës e zbukuroi laramania e ngjyrave, pati thirrjen e bashkëpunimit dhe të jetesës harmonike, duke e kuptuar dhe pranuar njëri tjetrin. Kur ky qëllim do të arrihej, edhe ngjyrat nuk do të mbetnin vetëm në korrnizat e simbolikave por, do të bëheshin pasqyrë e realitetit.

Mirëpo, përbrenda këtij festivali nuk ishin vetëm ngjyrat ato që kishin laramani. Edhe fryma e aktiviteteve që u bë bashkim i shumë të rinjve të talentuar në fusha të ndryshime ishte i tillë. Vendtakim i shumë shkrimtarëve të rinj, piktorëve, sportistëve, artistëve dhe rrëfyesve të storieve të tyre ishte Festivali Multikulturor.

Anipse pandemia pamundësoi organizim e tërësishëm të çdo aktiviteti të planifikuar, sërish nuk munguan as ato fizike. Një ndër to ishte edhe inciativa për të kaluar një pasdite me familjet e komuniteteve në mënyrë që të dëgjohen drejtpërdrejtë sfidat, vështirësitë dhe gjjithçka tjetër që ballafaqohen ata.

Festivali mundësoi edhe komunikimin institucional, duke organizuar takime me kryetar të komunave të Vushtrrisë, Kaçanikut dhe Prizrenit. Të rinjtë e komuniteteve patën rastin të shprehin haptazi brengat e tyre dhe kërkesat nëpër komunat e tyre.

Siç është duke ndodhur në mbarë globin, edhe në këtë festival të pranishme ishin aktivitetet digjitale. Transmetimi i shfaqjes teatrale “Keqap Skola” nga teatri Rom “Nexhip Menekshe”, interpretimit për martesat e hershme nga shkrimi i bukur i Remzie Markeshit, i stories së kampionit të garave ndërkombëtare në karate Sefer Bajramit, rrëfimit të rrugëtimit si aktivist të Gazmend Qyqallës, mesazheve frymëzuese të Kendiza Lalës, koncertit solistik të talentit Daniel Eminovic, interpretimit rrëqethës ‘’Unë jam Minoritet’’ të Medina Asllanit, monologut në gjuhën rome të Edis Galushit, poezisë dramatike të Linda Hysenit dhe monologut për martesat e hershme nga Mirëzana Jashari ishin disa nga to.

Në anën tjetër, përtej fjalës dhe artit skenik, edhe arti pamor morri vend në këtë Festival. Një mural në Gjakovë është zbukuruar nga punimi artistik i Mimoza Rracit, e cila pikturoi një glob dhe dy duar me nacionalitete të ndryshme, e që shtrijnë duart ndaj njëra tjetrës si simbol i diversitetit.

Festivali multikulturor u përmbyll suksesshëm më 20 nëntor, duke përquar mesazhe të solidaritetit dhe diversitetit. / KultPlus.com

Të ngjajshme