Franceso Altimari: Gjuha arbëreshe, mundësi për t’u rivitalizuar

22 Nëntor, 2023 - 6:00 pm

Profesori Francesco Altimari, një nga figurat e njohura të botës akademike, u shpreh se gjuha arbëreshe ka sot mundësinë të rivitalizohet.

I pranishëm në Samitin e 3-të të Diasporës që po mbahet në Tiranë, akademiku Prof. Altimari, gjatë fjalës së tij, u ndal në modelin e gjuhës shqipe që duhet folur.

Ai tha se, “gjuha arbëreshe është një gjuhë e gjallë dhe ne kemi mundësi ta riaktivizojmë me metoda moderne duke parë të ardhmen dhe jo të djeshmen”.

Ai përgëzoi miratimin e ligjit në Itali që ka mbështetur mësimin e gjuhës arbëreshe, por bëri apel për bashkimin e 40 komunave arbëreshe në një koordinim politik, mundësi të cilën e lejon ligji, në mënyrë që siç tha ai, “minoriteti arbëresh i shpërndarë në 40 komuna të organizohet në një linjë për mësimin e gjuhës arbëreshe”.

“Puna e një gjuhe minoritare zgjidhet bashkërisht. Ndaj jemi angazhuar si botë akademike që të mbështesim kërkimin shkencor në drejtim të gjuhës shqipe. Për këtë qëllim ne kemi angazhuar edhe studentët që me punët e tyre kërkimore shkencore t’i vijnë në ndihmë mësimit të gjuhës arbëreshe, që është e përhapur në mënyrë dialektore sipas komuniteteve”, tha ai.

Prof. Altimari vuri theksin në planifikimin gjuhësor të arbërishtes, që bën përshkrimin e të gjitha gramatikave dhe fjalorëve që ka kjo gjuhë, duke e sjellë arbërishten në kontekstin letrar dhe duke e përafruar nën një çati, që ruan tiparet leksikore dhe gramatikore.

Prof. Altimari është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është profesor në Universitetin e Kalabrisë. Ai është autor i shumë botimeve për gjuhën arbëreshe. Ai është ndër themeluesit e filologjisë arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme