Hapet në Kuvendin e Shqipërisë ekspozita “U rritëm në BE”, pasqyron rrugëtimin e Çekisë

20 Tetor, 2022 - 8:45 pm

Sot, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, u përurua ekspozita “U rritëm në BE”, një veprimtari e përbashkët e Kuvendit dhe Ambasadës së Republikës Çeke.

Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deputete e deputetë të Kuvendit, ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban, ambasadorë dhe të ftuar të tjerë.

Ekspozita “U rritëm në BE” pasqyron një pjesë të rrugëtimit evropian të Republikës Çeke.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se, “rrugëtimi i Republikës Çeke drejt Bashkimit Evropian është një shembull i integrimit dhe plotësimit të standardeve evropiane e perëndimore”.

Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohje ndaj Republikës Çeke për mbështetjen e vendosur të integrimit evropian  të Shqipërisë dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë zhvillimit të negociatave.

Nikolla falënderoi ambasadorin Karel Urban për hapjen e ekspozitës dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve e dy parlamenteve.

Ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban, falënderoi Kuvendin për bashkëpunimin në çeljen e ekspozitës dhe vuri në dukje se Republika  Çeke do të vijojë të jetë një partnere dhe mbështetëse e fuqishme e  integrimit evropian  të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme