8 Maj, 2025 - 6:44 pm
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia u hap sot me prani të përfaqësuesve institucionalë, arkitektëve, kuratorëve, studiuesve dhe mediave ndërkombëtare. Ky vit, Pavijoni përfaqësohet me instalacionin “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” nga Erzë Dinarama, i cili ofron një eksplorim të marrëdhënieve ekologjike dhe sistemeve të dijes që janë nën trysninë e krizës klimatike.
Hana Halilaj, kuratore dhe përfaqësuese e Galerisë Kombëtare të Kosovës, institucion komisionues i Pavijonit, shprehu falënderimin për mbështetje dhe theksoi se instalacioni është ndërtuar rreth një kalendari relacional që e përshkruan përvojën e fermerëve të Kosovës në përballje me pasiguritë klimatike, ku aromat dhe shqisat janë të ngjitura me ritmet ekologjike.
Nita Shala, Ambasadorja e Kosovës në Itali, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e quajtur një moment të veçantë që përfaqëson jo vetëm vizionin artistik, por edhe identitetin e Kosovës në një platformë ndërkombëtare të artit dhe arkitekturës.
Arkitektja dhe kuratorja Erzë Dinarama shpjegoi se ky projekt ndjek një kalendar ekologjik të ri, ku momentet kyçe të ndryshimeve klimatike, si ngricat e vona dhe mungesa e borës, krijojnë një tension që ndikon në jetën e fermerëve dhe në natyrën që ata kultivojnë. Pavijoni shpalos këto tensione përmes dy elementeve kryesorë: erës dhe dheut.
Pavijoni i Kosovës është i mbështetur nga kërkime me bujq në të gjithë territorin e Kosovës, dhe thekson transformimin e peizazhit bujqësor, ku kultura tradicionale po ndeshet me vështirësi dhe të reja po po lindin. Instalacioni materializon këto tensione ekologjike në një formë që angazhon shqisat e vizitorëve.
Pavijoni përfshin gjithashtu një platformë digjitale dhe një libër të publikuar pas hapjes, ku do të ndahen ese, reflektime dhe njohuri që zgjeron hulumtimin dhe imagjinatat hapësinore të projektit.
Kosova është pjesëmarrëse e Bienales së Venecias që nga viti 2012, duke ofruar projekte të ndryshme nga arkitektë dhe artistë të shquar. Prezantimet e kaluara përfshijnë punë nga Përparim Rama (2012), Gëzim Paçarizi (2014), Eliza Hoxha (2018), Maksut Vezgishi (2021), dhe Poliksen Qorri–Dragaj & Hamdi Qorri (2023)./KultPlus.com