“Honeyland” nga Maqedonia e Veriut fitoi çmimin “ASC” në kategorinë “Dokumentari më i mirë”

27 Janar, 2020 - 10:27 am

Edhe një sukses i radhës për filmin nga Maqedonia e Veriut, “Honeyland”.

Filmi i nominuar për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, kësaj radhe është shpërblyer në ceremoninë “American Society of Cinematographers”, me çmimin “Dokumentari më i mirë”. Kjo është hera e parë që Shoqata Amerikane e Kineastëve e ndanë këtë shpërblim, derisa ka për qëllim ta nderojë kinematografinë e jashtëzakonshme në një filmi jo fiktiv. Regjisori i filmit “Joker”, Todd Phillips, ishte ai i cili ia ndau shpërblimin dyshes, Fejmi Daut dhe Samir Ljuma, për punën e mrekullueshme në filmin “Honeyland”. transmeton Koha Ditore.

“Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e kësaj ngjarjeje. Kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut është pjesë e një ceremonie të këtillë shpërblyese,” ka thënë Daut me të dalë në skenë për ta pranuar çmimin.

Ky ishte nominimi dhe çmimi i parë “ASC” i fituar për dy kineastët maqedonas, derisa për punën e tyre në “Honeyland”, Daut dhe Ljuma, e kishin fituar edhe çmimin “Cinematography Award”, në edicionin e vitit të kaluar të festivalit të filmit “Sundance”.

Pritet të shihet nëse projekti filmik nga Maqedonia e Veriut, “Honeyland” do të triumfojë edhe në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve akademike, të cilat ndahen më 9 shkurt në Los Angeles./KultPlus.com

Të ngjajshme