Jacopo Sipari di Pescasseroli zgjidhet drejtor artistik në Teatrin e Operës

29 Qershor, 2023 - 3:15 pm

Jacopo Sipari di Pescasseroli është drejtori i ri artistik i Drejtorisë së Operës dhe Filarmonisë (DOF), në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina prezantoi maestro Sipari para trupës artistike dhe stafit administrativ, pas mbylljes së konkursit, që qëndroi i hapur përgjatë 1 muaji.

Voshtina theksoi se, edhe pse statuti ia lejonte të emëronte një drejtor artistik, ajo zgjodhi të hapte një konkurs ndërkombëtar për të mos i kufizuar standardet e përzgjedhjes.

I lumtur për këtë përzgjedhje është shprehur dhe maestro Sipari, i cili para trupës dhe stafit të TKOB-së tha se, “bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme kemi të njëjtin synim: Ta transformojmë TKOB-në në një nga teatrot më prestigjioze në Evropë”.

Jacopo Sipari di Pescasseroli është i njohur si fitues i çmimit “Golden Opera Special Prize” në janar të 2020-s, për gjeneratën e re nga “Oscars of Opera”, si një nga dirigjentët më premtues për operat në Itali.

Gjithashtu ai është diplomuar edhe si jurist. Sipari zotëron 2 doktoratura në të Drejtën Penale dhe atë Kanonike, të shkruara në gjuhën latine. Prej nëntë vitesh shërben si Docent i të Drejtës Penale, në Universitetin “Roma Tre”, por edhe më parë njihej si avokati më i ri i Gjykatës Apostolike Romake “Rota”, në Vatikan, institucioni më i lartë gjyqësor i Kishës Katolike./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme