“Jam i shokuar, ikja e Benit do të më lërë boshllëk”

9 Gusht, 2020 - 12:53 pm

Shkruan: Arben I. Kastrati

Fotografia: Fahredin Spahija

E kam të vështirë të shkruaj për Ben Bajon, në të shkuarën E kam shumë të vështirë të shkruaj një letër lamtumirëse, sepse nuk arrijë të besoj vdekjen e Benit. Më duhet të shkruaj për Benin, në të shkuarën, tash më. Nuk arrijë t’i gjejë fjalët e duhura nga tronditja që më shkaktoi lajmi. Jam i shokuar. Ikja e Benit, do të më lërë boshllëk. Tirana, s’ka për të qenë e njëjta për mua, tani më. Kur na presantoi Gaz Leka, pata përshtypjen që Ben Bajon e njihja që moti. Beni arrinte të të përvetësonte me mirësinë e tij. Beni ishte shok. Beni ishte mik. Beni ishte – Artist. Sa herë që shkoja në Tiranë, ai gjente kohë të më takonte. Kur ishte duke u zhytur, në ndonjë cep deti në jug të Shqipërisë, sikur ndihej me faj që nuk mund të më takonte dhe shoqëronte. Kur takoheshim, bisedat i shoqëronim me raki rrushi. Takoheshim një kohë tek “Sokaku i të marrëve”.

Sikur e kërkonte Gjirokastrën në Tiranë. Gjirokastrën, për të cilën fliste me shumë adhurim. Humbisnim fillin e kohës, në bisedat e gjata që zhvillonim. Në ato biseda trajtonim artin dhe vështërsitë krjiuese. Beni, me qetësinë që e karakterizonte, edhe zhgënjimet i qante me dashuri. Takimi ynë i fundit, nuk u shoqërua me raki rrushi dhe as me biseda të gjata. U takuam gjatë xhirimeve të filmit tim në Tiranë, vitin e shkuar. Kisha shumë dëshirë që në një skenë filmi, t’i kisha miqtë e mi të paktë. Të na ngelej një kujtim i përbashkët. Beni ishte i vetmi, që erdhi. Sikur ta kishte ditur që do të ishte takimi ynë i fundit. Beni më la një kujtim të bukur, nga ajo skenë filmi. Takimi ynë i fundit, është takim i regjistruar filmik, që do ngelet përjetësisht. Kur vdesin njerëzit, na ngelen kujtimet. Kur vdesin artistët, na ngelet vepra. Artistët nuk vdesin. Ata jetojnë gjatë. Artistët sikur Ben Bajo, jetojnë shumë gjatë. / KultPlus.com

Të ngjajshme