Jasharaj: Greva vazhdon, nxënësit s’kanë çka të vijnë në shkollë

31 Gusht, 2022 - 3:50 pm

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media ka thënë se greva do të vazhdojë derisa qeveria të fillojë bisedimet me ta.

Përpos asaj që më 1 shtator nuk do të nisë mësimi, Jasharaj kërkoi mirëkuptim nga prindërit dhe nxënësit.

“Fatkeqësisht duhet t’i drejtohem prindërve dhe nxënësve për mirëkuptim, s’ishte vullnet i yni, por s’kishim zgjidhje tjetër. Për hir të sigurisë së nxënësve, angazhimet e tyre t’i orientojnë nga qeveria për dialog dhe lus prindërit që të mos enden rrugëve të shkojnë në shkollë kot. Greva do të zgjasë më pak nëse qeveria ulet dhe fillon realizimin e kërkesave tona”.

“Nesër është dita e 6 apo e 7 e grevës, greva do të vazhdojë derisa qeveria nuk i realizon kërkesat tona. Ka ende kohë të ulet me sindikatat, i lusim prindërit që ata të provojnë të gjejnë mundësi që të na ofrojnë dialog të sinqertë me qeverinë. Për hir të sigurisë së nxënësve, nxënësit të mbesin në shtëpi. Në qoftë se kemi informacion nga shkollat se dikush do të tentojë të ushtrojë presion ndaj grevistëve, do ta informojnë policinë sepse grevistët janë në vendet e tyre të punës, në shtëpinë e tyre, dhe me ligj janë të mbrojtur”.

“Nxënësit s’kanë çka të vijnë në shkollë pasi mësimdhënësit janë në grevë të cilën nuk e deshën por s’patën zgjidhje tjetër. Grevën nuk po e bëjnë individët, është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit, por edhe punëtorëve të tjerë”, tha Jasharaj./ KultPlus.com

Të ngjajshme