Kryeministri Rama: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë i jep Shqipërisë rëndësi të re gjeostrategjike

4 Mars, 2024 - 12:04 pm

Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se baza e re ajrore e NATO-s në Kuçovë i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së bazë ajrore të NATO-s në Kuçovë, Kryeministri theksoi se tashmë ofrohet infrastrukturë moderne për flotën tonë të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës.

Rama nënvizoi se kjo bazë do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve tanë, ndërkohë që i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike.

Kryeministri theksoi se baza ajrore e Kuçovës është sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

“Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neoimperialiste të Federatës Ruse”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht dhe pjesë e ripërtëritjes së mëtejshme cilësore të flotës tonë ajrore.

“Dy helikopterët e rinj ‘Black Hawk’ si dhe dronët ‘Bayraktar’ janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, tha ai.

Kryeministri solli në vëmendje edhe pozicionimin e bazës së Kuçovës në kohën e perandorisë sovjetike.

“Duke parë një pjesë të të pranishmëve që janë këtu si përfaqësues të një gjenerate tjetër e cila përjetoi të gjitha zhvillimet e përpara ndryshimeve demokratike, po i referohem një fragmenti të gazetës ‘Zëri i Popullit’ në maj të vitit 1954 kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe gazeta shkruante se ‘të vdekurit po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur më herët pikërisht për të mirëpritur shokun Hrushov’. Është i rëndësishëm ky referim, sepse në atë kohë Shqipëria me këtë bazë që rihapim sot konsiderohej një post strategjik i perandorisë sovjetike përballë Europës Perëndimore dhe këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit lufta do të niste me bombardimin e Vjenës, Shtutgartit, Mynihut, Nurembergut, 2 bazave të NATO-s në Danimarkë, 3 bazave në Verona, Padova e Viçensa dhe pjesë e këtij operacioni do të ishin dhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës”.

Rama theksoi se sot jetojmë në një epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër duke mikpritur me krenari dhe respekt aleatët dhe partnerët në një aleancë që është një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes e demokracisë.

“Unë jam posaçërisht i lumtur sot që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë dhe aleatë. Do të doja të falënderoja në mënyrë të posaçme ministrin e Mbrojtjes të Italisë i cili ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi edhe miqtë dhe aleatët e paçmueshëm turq, të cilët për thuajse 3 dekada e mbajtën gjallë frymë e kësaj baze, e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s, që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Ai falënderoi po ashtu të gjithë banorët e zonës së Kuçovës, të Tapisë, të Dimalit edhe të Beratit e më gjerë për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze.

Rama shprehu bindjen po ashtu se baza taktike e NATO-s të sjellë përpara mundësi të reja punësimi dhe mundësi të reja për të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme