Kumbaro: Stanet e Murgës, me ngjyrat më të bukura

25 Mars, 2024 - 10:58 am

Natyra është treguar bujare me Pukën, duke i dhënë bukuri magjepsëse në çdo skaj.

”Maja e Murgës”, 20 km nga Puka është kthyer në destinacionin më të ri turistik, duke tërhequr vëmendjen e shumë turistëve vendas e të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit , Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Maja e Murgës në Pukë, duke ftuar të pasionuarit pas turizmit malor ta vizitojnë atë.

“Me tablonë e pranverës që ka shpërthyer me ngjyrat më të bukura në Stanet e Murgës në Pukë, ashtu siç vetëm natyra di t’i kombinojë”, shkruan Kumbaro.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj po ashtu në një postim në rrjetet sociale thekson se “Maja e Murgës”, destinacioni më i ri turistik, që ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve, do të vlerësohet me prioritet, duke i dhënë rëndësinë e duhur në strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit.

“Ndërhyrjet afatgjata në sektorin e turizmit, do të konsistojnë para së gjithash në infrastrukturën rrugore, për të kulmuar me paketa stimuluese për ndërtime bujtinash dhe alokime fondesh për nxitjen e sipërmarrjeve në agro-turizëm”, tha Dodaj.

Maja e Murgës është një ndër destinacionet turistike që ofron Puka. E ndodhur në 600 metra lartësi, Maja e Murgës ofron pamje mahnitëse. Kjo hapësirë është tepër atraktive për të apasionuarit pas natyrës, malit, alpinizmit, lartësive, aventurës, etj.

Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e liqenit të Komanit nga maja e Murgës konfirmon që bukuritë shqiptare i ka pikturuar natyra./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme