Kurti dhe Osmani pranojnë sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën

12 Tetor, 2022 - 10:48 am

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën të këtij viti nga Komisioni Evropian.

Osmani raporti do t’i dorëzohet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog në Presidencë në ora 16:30.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.

Raportin do ta pranojë nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në objektin e Qeverisë.

Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Liderët e shtetit janë shprehur optimist lidhur me këtë çështje, ndonëse nuk japin datë se kur qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm.

Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj. /KultPlus.com

Të ngjajshme