Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

24 Gusht, 2023 - 1:18 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas për të shënuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në ballkonin e Qeverisë.

Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosmërinë, por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljes së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

Në adresimin e tij, kryeministri tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

“Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha kryeministri Kurti. Ai veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe interesave të përbashkëta që kemi.

Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Kurti uroi gjithashtu herën tjetër e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë tha se “jemi krenarë që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë”.

Gazetarët ukrainas në këtë takim u shoqëruan edhe nga Kryetari i Associacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues së Qendrës Europiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe Flutura Kusari. / Express / KultPlus.com

Të ngjajshme