Laguna e Nartës, oaz i shpendëve migratorë

22 Nëntor, 2023 - 4:30 pm

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve ujorë po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Ky lloj turizmi është një mundësi e mirë për të afruar njerëzit me shpendët dhe për t’u treguar atyre se çfarë tiparesh dhe vlerash ka secili shpend.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë ka zhvilluar një vëzhgim të shpendëve në lagunën e Nartës për të njohur më nga afër situatën aktuale.

“Laguna e Nartës është një oaz i shpendëve të ujit, e cila krijon habitate mjaft të përshtatshme për periudhën dimërore, ku një numër i madh i shpendëve migratorë kanë filluar të popullojnë lagunën”, theksoi Agjencia kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Kjo lagunë përfaqëson një territor me një shumëllojshmëri shpendësh, të cilët gjejnë aty një habitat të përkryer për të folezuar apo dimëruar. Një shfaqje biodiversiteti, që mes të tjerash përbën edhe një hallkë të rëndësishme të zinxhirit të mbijetesës së shpendëve, në sezonet e shtegtimit. Kjo lagunë, pjesë kyç e korridorit të shtegtimit të Adriatikut lindor, përbën një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme të Shqipërisë.

Ky territor mbart një numër të konsiderueshëm shpendësh, shumë prej të cilëve gjenden të listuar në direktivën evropiane të shpendëve, si dallëndyshja e detit (Glareola pratincola), sqepbiza (Recurvirostra avosetta) apo dallëndyshja e detit ballëbardhë (sternula Albifrons)./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme