Lansohet “Pasaporta Mësimore”, Kosova një nga tre vendet që e nis pilotimin

20 Prill, 2020 - 7:40 pm

Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF-it Murat Sahin dhe zëvendësministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj kanë bërë lansimin e “Pasaportës Mësimore”.

Kurti tha se kjo iniciativë është një program i shkëlqyeshëm për të rinjtë tanë, derisa ka shpjeguar tri programe të Zyrës së UNICEF-it që kanë filluar të përfshihen në kurikulën zyrtare.

“Në Kosovë, programi UNICEF bën punë të mira në monitorimin e të drejtave të fëmijëve tanë, mbrojtjen dhe përfshirjen e tyre sociale, shëndetin, si dhe edukimin gjithëpërfshirës. Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka tri programe të cilat ka filluar t’i akreditojë dhe përfshijë në kurikulën zyrtare ekzistuese të Arsimit të Mesëm dhe të Lartë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit”.

“Të trija programet e dizajnuara rreth aftësive konkrete të nevojshme për sukses në shekullin 21. I pari është Up-Shift që ka nisur së pari në Kosovë dhe pastaj është replikuar ne 21 shtete të botës. Ky program iu mundëson të rinjve hartimin e zgjidhjeve inovative dhe ndërmarrëse. Programi i dytë mëson avokimin te adoleshentët ashtu që ata do të ndikojnë në politikat në vend. Programi i tretë ndihmon të rinjtë të bëjnë lexim kritik të mediave dhe rolit të tyre në shoqëri. Edhe këto dy programe janë nisur së pari në Kosovë dhe do të replikohen nga zyrat e tjera të UNICEF-it”.

Kurti ka thënë se këto tri programe, që ai i sheh si të nevojshme dhe të rëndësishme për sistemin tonë arsimor, do të institucionalizohen në shkollat publike në nivel kombëtar.

“Ne besojmë se përfitimet nga këto programe do të jenë të shumta, së pari duke adresuar mospërputhjen e sistemit arsimor me kërkesat dhe mundësitë për punësim. Gjithashtu duke i dhënë nxënësve mjete për të qenë aktiv dhe produktiv”.

“Lansimi që po bëjmë sot është rezultat i punës së mirë që ka bërë Zyra e UNICEF-it në Kosovë. Kosova është zgjedhur një nga tre vendet e botës që të nisë të testojë dhe të pilotojë iniciativën e ‘Pasaportës Mësimore’. Në bashkëpunim mes UNICEF-it, Korporatës Teknologjike Amerikane Microsoft dhe Universitetit “Cambridge” ‘Pasaporta Mësimore’ do të zhvillojë një platformë digjitale të personalizuar e cila do të sigurojë se fëmijët dhe të rinjtë vazhdojnë mësimet kudo që të jenë dhe në çdo kohë krize, sikur kjo kriza aktuale e shkaktuar nga pandemia në sistemin tonë arsimor”.

“Të trija iniciativat që kanë nisur në Kosovë do të digjitalizohen dhe do të jenë pjesë e ‘Pasaportës Mësimore’ në dispozicion për të rinjtë e Kosovës dhe mbarë botës”.

Të ngjajshme