Lirimi i Pantiqit, Sveçla: Kjo s’është drejtësi

20 Tetor, 2023 - 10:00 pm

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës që dha dorëheqje në nëntor, personi i akuzuar për sulmin me mjete shpërthyese në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë, Dejan Pantiq, është liruar nga arresti shtëpiak, dhe masa e sigurisë është zëvendësuar me një dorzan prej 30 mijë eurosh, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook’, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani.

“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre kriminelëve kanë vepruar në të njëjtën mënyrë.

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan insitucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”.

Sveçla gjithashtu shton edhe pjesën se veprat e Pantiqit dhe të tjerëve janë mjaft të rënda dhe sipas tij me këto vendime dëmtohet drejtësia dhe ligji.

“Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës”.

“Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, ka deklaruar tutje Sveçla. /KultPlus.com

Të ngjajshme