“Madona dhe Fëmija” e Antonio Solarios rikthehet në Itali pas 51 vitesh zhdukjeje

23 Korrik, 2025 - 2:45 pm

Pas më shumë se një gjysmë shekulli në mungesë, piktura “Madona dhe Fëmija” e artistit italian të Rilindjes, Antonio Solario, është rikthyer në shtëpinë e saj të dikurshme, Muzeun Qytetar të Bellunos.

Kryevepra e shekullit të 16-të u vodh nga muzeu në vitin 1973 dhe mbeti e humbur deri kur, pas një beteje të gjatë ligjore dhe bindjes morale, u kthye vullnetarisht nga pronarja britanike Barbara de Dozsa.

Veprën e trashëgoi nga ish-bashkëshorti i saj, Baroni i ndjerë de Dozsa, i cili e kishte blerë në mënyrë të pandërgjegjshme menjëherë pas grabitjes. Për dekada, vendndodhja e saj mbeti e panjohur derisa në vitin 2017, De Dozsa u përpoq ta shiste në një ankand rajonal. Por piktura ndodhej në listën e artit të vjedhur të Interpolit, duke e pamundësuar shitjen.

Kthimi i saj u bë i mundur falë këmbënguljes së Christopher Marinello-s, avokat dhe themelues i Art Recovery International, i cili trajtoi çështjen pro bono dhe është krahasuar shpesh me “Sherlock Holmes” të botës së artit. “Kur bëhet fjalë për kthimin e veprave të vjedhura, mund të jem tepër këmbëngulës”, tha ai, duke përgëzuar vendimin e De Dozsës si një akt “të mençur dhe me integritet”.

Kryebashkiaku i Bellunos, Oscar de Pellegrin, e quajti ditën e rikthimit të veprës si “një ditë feste” për qytetin. Ndërkohë, muzeu e cilësoi rikthimin si rezultat i “besimit të mirë” të pronares britanike. Piktura do të ekspozohet në muze deri më 27 korrik, përpara se t’i nënshtrohet restaurimit profesional./syri.net/

Të ngjajshme