Mbahet mbledhja komemorative për profesorin Haqif Mulliqi

27 Korrik, 2023 - 4:01 pm

Arlinda Hajdaraj

Sot, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt mbledhja komemorative për te kujtuar punën dhe veprimtarinë e gazetarit, publicistit, profesorit e dramaturgut tashmë të ndjerë, Haqif Mulliqit.

Studentë, miq, kolegë, familjarë, njerëz që njohën nga afër profesorin dhe ata që çmuan nga larg veprimtarinë e tij, morën pjesë edhe njëherë në shenjë nderimi e respekti karshi tij.

Si një, dramaturg, profesor, gazetar, la një trashëgimi të gjerë, e cila nuk u shua as me vdekjen e tij.

Të pranishmit fillimisht mbajtën një minutë heshtje për profesorin e ndjerë, e më pas fjalën e parë e mori Hazir Haziri, Dekan i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, i cili çmoi lartë profesorin Haqif Mulliqi dhe vlerësoi maksimalisht kontributin e tij në fushën e artit.

“Profesor Mulliqi punoi me përkushtim të pashoq në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ai ishte ndër pedagoget e rrallë në fushën e dramaturgjisë dhe arteve skenike, autor, e regjisor i shumë veprave”, tha Haziri.

Haziri, gjithashtu tha që profesori Haqif Mulliqi është një emër që do të mbahet mend shumë gjatë, për edukimin e  çdo brezi të artistëve dhe se falë kontributit të tij si një pedagog i zellshëm e i pashoq, shumë të rinj arritën të kapin majat e suksesit si brenda ashtu edhe jashtë Kosove.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, profesor Haqif Mulliqin e konsideroi si një njëri shumë shoqërues e si dhënës i këshillave të mira. Pra, si një njëri që zor zëvendësohet.

“ Profesor Mulliqin, e kisha mik dhe me të pata rastin te bashkëpunoja për shumë vite. Pranova këshilla të shumta nga ai për çdo proces të menaxhimit. Atë e njoha siç edhe e njihnin njerëzit e kalibrit të tij, përmes kontributit të pashoq në fushën e arteve skenike dhe si një njëri me virtyte të larta njerëzore.”, përfundoi Haziri.

Ndërkaq, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, shprehi ngushëllimet më të thella për humbjen e profesorit Mulliqi.

“Sot qartazi është një ditë zie për Universitetin e Prishtinës. Më lejoni që në emrin tim dhe të Universitetit të Prishtinës të shpreh ngushëllimet më të thella. U prehtë në paqe dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, Profesor Mulliqit.”, përfundoi Qerimi.  

Për Qerim Qerimin, i ndjeri Haqif Mulliqi, mbetet ndër figurat më të shquara në fushën e artit dhe se vdekja e tij është një humbje e madhe për Kosovën.

Pas përfundimit të fjalës nga Qerim Qerimi, fjalën e mori edhe profesori i Fakultetit të Arteve, profesor Rexhaj, i cili ndau disa momente për ish-gazetarin, Mulliqi.

Ai tha që profesorin e ndjerë e ka njohur nga afër që nga viti 1993, kur morën pjesë së bashku në grevën e urisë, e përpos saj, e njohu edhe si një njëri te guximshëm që as gjatë luftës nuk e ndaloi veprimtarinë e tij.


“Haqif Mulliqi ka qenë njëri ndër njerëzit më të guximshëm të ditëve të rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës në vitet e 90-ta”, theksoi Besim Rexhaj.

Rexhaj bëri të ditur që njëherazi Haqif Mulliqi ka qenë edhe reporter gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke raportuar guximshëm ndaj realitetit të asaj kohe.

Haqifi ishte njeriu i ditëve të rrezikshme dhe të ndritshme të viteve të 90-ta, kur luftën e raportonte jo nga redaksia, por nga vendi i ngjarjes”, përfundoi Rexhaj.

Për Rexhaj-n, emri i Haqif Mulliqit nuk ka nevojë as të prezantohej, pasi që atë më së miri e prezantojnë veprat e tij.

“Pedagogu, regjisori, e dramaturgu, është emër e figure të cilën nuk ka nevojë për ta prezantuar, sepse ai me jetën, opusin e praninë e tij artistike, akademike, e publike, dha një kontribut të shquar ne skenën e kulturës shqiptare”, përfundoi Rexhaj.

Si përmbyllje të ceremonisë, fjalën e mori vajza e profesorit të ndjerë, Getoarbë Mulliqi e cila me një drithërimë në zërin e saj e me lot në sy, tha fjalët më të ndjera nga zemra, për babain e saj.

Getoarbë Mulliqi, tha që babai i saj ka qenë ikona e Prishtinës dhe se një njëri si ai është i pazëvendësueshëm në shumë sfera.

“Babi ka qenë një shqiptar i madh, bashkëshort, baba, gjysh e familjar i pashoq. Ka qenë shok dhe ka qenë bashkëpunëtor me vlera shumë të larta, profesor që krejt çka ka pasur ia ka transmetuar studentëve të tij”, përfundoi Mulliqi.

Ajo gjithashtu tha se do të donte shumë që babai i saj të ishte sot aty dhe të shikonte se sa shumë po e gëzon respektin e njerëzve.

Si shenjë falënderimi e respekti ndaj babait të saj, Mulliqi, kërkoi një duartrokitje të fortë nga të pranishmit në sallë.

Përpos fjalimeve, për nder të punës, veprimtarisë së tij artistike, u realizua edhe një interpretim muzikor, e cila u bë shkak i përlotjes së shumë njerëzve aty.

Profesor, Haqif Mulliqi, ka vdekur të martën, me datë 25 korrik./ KultPlus.com

Të ngjajshme