Ndarja nga jeta e Naun Shundit, Gonxhja: Do kujtohet për dashurinë që përcolli tek publiku

28 Gusht, 2025 - 6:14 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja reagoi sot pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur, Naun Shundi.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja e konsideroi të trishtë lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur Naun Shundi, pas një beteje shëndetësore me sëmundje të rëndë.

“Artisti që dha shpirt e jetë për skenën shqiptare, do të kujtohet gjithmonë për rolet e tij të paharrueshme dhe dashurinë që përcolli tek publiku”, u shpreh Gonxhja.

Ministri Gonxhja u ka shprehur “ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik për humbjen e një figure të shquar, që do të mbetet përherë pjesë e identitetit tonë kulturor”.

Aktori i njohur Naun Shundi u nda sot nga jeta në moshën 66-vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehu gatishmërinë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme për aktorin Shundi.

Naun Shundi dha një kontribut të çmuar për më shumë se katër dekada në fushën e aktrimit, regjisurës dhe dramaturgjisë. Gjatë karrierës së tij, Shundi interpretoi mbi 100 role në teatër dhe mori pjesë në rreth 20 filma.

Të ngjajshme