Osmani dekoroi zëvendësambasadorin e SHBA-ve, Nicholas Giacobe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

29 Gusht, 2022 - 8:31 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese e ligjore, me rastin e përfundimit të shërbimit të tij në Kosovë ka dekoruar sot zëvendësambasadorin amerikan, Nicholas J. Giacobbe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili u jepet personave për kontribut në ndërtimin e paqes apo në zhvillimin e demokracisë.

Në ceremoninë e dekorimit, Presidentja Osmani ka  vlerësuar lart punën dhe angazhimin e z. Giacobbe gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

“Z. Giacobbe me përkushtimin e tij të pashoq ka dhënë kontribut të çmueshëm në avancimin e demokracisë dhe paqes në Kosovë. Ai, gjithashtu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit.

Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se miqësia e përhershme me SHBA-të do të vazhdojë të kultivohet e mirëmbahet edhe nga pasuesja e z. Giacobbe. Ndërkaq zv. ambasadori Giacobbe falënderoi Presidenten Osmani për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, pavarësisht kohës sfiduese nga pandemia Covid-19. /KultPlus.com

Të ngjajshme