Osmani: Serbia duhet t’i vuajë pasojat e Banjskës

5 Shkurt, 2024 - 1:19 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka përmendur sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia të cilat janë bërë mujave të fundit, pasi siç tha ajo, kjo e fundit ka ikur pa pasoja.

Osmani tha se duhet të ketë pasoja për Serbinë për shkak të tendencave të saj që ajo të kuptojë mesazhin qartë dhe të ndalojë veprimet që rrezikojnë gjithë rajonin e Kosovës.

Ndër të tjera, Osmani përmendi keqpërdorimet që janë bërë me emrin e KFOR-it dhe flamurin gjerman në periudhën kur edhe është kryer sulmi i Banjskës. Për këtë, ajo tha se duhet të mbrohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë.

“Masa e parë që duhet të ndërmerret është që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të jetë i sigurt sepse një ndër arsyet pse sulmi i 24 shtatorit ka ndodhur për shkak se për muaj të tërë para sulmit serb, nëpërmjet rrugëve ilegale ka arritur të kontrabandojë armë të stilit ushtarak, të kontrabandojë uniforma dhe të ka arritur të kontrabandojë edhe automjete të blinduara. Ta keni parasysh që ka pasur raste që ata kanë keqpërdorur emrin e KFOR-it duke vendosur atë në autoblinda vetëm për t’i sjell brenda Kosovës dhe ka pasur edhe raste kur kanë keqpërdorur flamurin gjerman për një gjë të tillë duke vendosur kështu në rrezik jo vetëm Kosovën por edhe prezencën gjermane. Prandaj duhet ta mbrojmë kufirin me çdo kusht që të parandalohet shpërndarja e këtyre armëve. E dyta, sa më të fuqishme të jenë mesazhet politike në raport me Serbinë aq më mirë do të jetë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha ajo. /KultPlus.com

Të ngjajshme