Pesë artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi i Krujës”

3 Mars, 2024 - 2:34 pm

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi i Krujës”. 

Ceremonia u zhvillua në ambientet e muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” si nderim për artistët Janaq Paço (pas vdekjes), Naxhi Bakalli, Gazmend Leka, Genc Hajdari dhe Bashkim Ahmeti, të cilët kanë punuar disa nga veprat kryesore të muzeut kombëtar të Krujës.

“Artistët shqiptarë dhe qytetaria shqiptare, përfshirë dhe artistët e institucionin, punuan bashkë për ta bërë realitet këtë muze dhe mbeti një muze që e përfaqëson shumë bukur, nderueshëm Shqipërinë dhe krutanët”, tha skluptori Naxhi Bakalli.

“Për mua nuk ka qenë qytet, po kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve dhe tërë kohës, ashtu siç e ka thënë dhe N.Frashëri qytet i bekuar. Lutem që një bulëz e këtij bekimi të na bjerë dhe ne mbi kokat tona meqenëse jemi qytetarët më të rinj të Krujës”, tha Gazmend Leka.

Gjatë ceremonisë u prezantua dhe vlerësua vepra e pesë artistëve që morën titullin Qytetar Nderi nga bashkia e Krujës për kontributin e çmuar dhuruar qytetit dhe kombit përmes artit të tyre.

Muzeu kombëtar i Krujës është muzeu më i vizituar në vendin tonë që çdo vit me historinë dhe madhështinë e vet tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të çdo moshe nga vendi dhe bota. /Top Channel /KultPlus.com

Të ngjajshme