Presidentja Osmani në Osaka: Kosova, një demokraci që shikon drejt së ardhmes

11 Qershor, 2025 - 7:38 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në EXPO 2025, që po mbahet në Osaka, Japoni.

Në fjalën e saj, ajo përkujtoi Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke e quajtur një moment të rëndësishëm në historinë e vendit. Presidentja tha se kjo ditë nderon ata që luftuan për liri, kujton ata që dhanë jetën dhe vlerëson ndihmën e aleatëve.

“Sot, Kosova është një demokraci që shikon drejt të ardhmes, e udhëhequr nga sundimi i ligjit, me një brez të ri vizionar dhe e përkushtuar thellësisht ndaj vlerave euro-atlantike,” tha ajo.

Presidentja foli edhe për marrëdhëniet me Japoninë. Ajo falënderoi popullin japonez për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës pas luftës dhe gjatë rindërtimit.

“Mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për popullin tonë… nuk do të harrohet kurrë. Ajo ka formësuar themelin e fortë të miqësisë që gëzojmë sot,” tha Osmani.

EXPO 2025 është një ngjarje botërore ku vendet paraqesin kulturën dhe zhvillimet e tyre. Pjesëmarrja e Kosovës aty shihet si një mundësi për të forcuar lidhjet me shtete të tjera dhe për ta bërë vendin më të njohur në botë./KultPlus.com

Të ngjajshme