Presidentja Osmani takoi presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

11 Shtator, 2023 - 1:15 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila krahas krerëve të shteteve të tjera të rajonit po merr pjesë në takimin Bërdo-Brione në Shkup, ka zhvilluar një takim me nikoqirin e takimit, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidentja Osmani në këtë takim, rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.

Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon.

Presidentja Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

Në këtë takim, ndër të tjera, të dy presidentët, theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. / KultPlus.com

Të ngjajshme