Presidentja Osmani u prit nga kryetari i Senatit Çek, adreson çështjen e liberalizimit të vizave

31 Gusht, 2022 - 1:40 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Çeki është takuar me kryetarin e Senatit Çek, Miloš Vystrčil.

Në takim me kryetarin Vystrčil, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Republikën Çeke si aleate të rëndësishme, me të cilën ndajnë vlera dhe vizion të përbashkët për paqe, prosperitet dhe integrim euroatlantik.

Presidentja Osmani ka adresuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të Kosovës në mandatin e Çekisë, e cila aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Kosova ka nevojë për rrugë të qartë drejtë BE-së gjatë Presidencës Çeke. Mbështetja për procesin e liberalizimit të vizave duhet të jetë në agjendë, sepse është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

Në takim, Presidentja Osmani ka kërkuar edhe përkrahjen e senatit çek për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që parlamentarët luajnë në këtë proces, sidomos në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Presidentja Osmani ka diskutuar me kryetarin Vystrčil për rëndësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe e më pas në NATO. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale, sikurse edhe në forcimin e diplomacisë parlamentare ndërmjet dy vendeve. / KultPlus.com

Të ngjajshme