Presidentja Vjosa Osmani kujton masakrën e Polacit dhe të Abrisë së Poshtme: Duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, nderohet e kaluara jonë

7 Prill, 2024 - 6:43 pm

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrat e fshatrave Polac dhe Abri e Poshtme. 25 vite më parë në Polac u vranë 78 martirë të fshatit dhe vendeve të tjera përreth, ndërsa në Abri u vranë 10 civilë nga Qabiqi.

Presidentja Osmani ka thënë se duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, nderohet e kaluara, mbahet gjallë e vërteta dhe se bëhen përpjekje që autorët të sillen para drejtësisë.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë për media të Presidentes Osmani:

Polaci dhe Kosova sot kujtojnë prillin e vitit 1999, kur regjimi gjenocidal i Serbisë në një ofansivë njëjavore, vrau 78 martirë të këtij fshati dhe atyre përreth. Sot i kujtojmë dhe përulemi me respekt edhe për 8 dëshmorët e UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë.

Makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë afro dy muaj para kapitullimit të saj, intensifikoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik anembanë Kosovës.

Më 7 prill makineria vrastare njësoj veproi edhe në Abri të Poshtme, ku u vranë 10 civilë nga Qabiqi.

Duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, ne nderojmë të kaluarën tonë, mbajmë gjallë të vërtetën dhe se ndalim përkushtimin për sjelljen e autorëve para drejtësisë.

Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!/KultPlus.com

Të ngjajshme