Qytetarët protestojnë kundër mbylljes së rrugës ‘George Bush’ nga Komuna e Prishtinës

14 Janar, 2024 - 3:08 pm

Një numër i qytetarëve të Prishtinës sot kanë protestuar kundër mbylljes së rrugës “George Bush” nga Komuna e Prishtinës.

Protesta e organizuar nga “Vrojtuesit e Lagjes” është mbajtur nga ora 12:00 në sheshin “George Bush” në kryeqytet.

Fatmir Muçolli, njëri prej protestuesve, shprehu pakënaqësitë në emër të protestuesve.

“Pse nuk është dikush i pranishëm këtu nga Komuna e Prishtinës? Pse nuk është këtu dikush i pranishëm nga Ministria e Infrasktrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor? “, ka thënë Muçolli.

Në paralajmërimin e protestës shkruhej:  “Ne organizojmë një protestë thelbësore për hapjen e rrugës Xhorxh Bush, një rrugë e cila mund të hapet lehtësisht duke i larguar betonat që e mbyllin. Thirrja është e hapur për çdo individ të lodhur nga këto praktika të kryetarit të komunës tonë”.

“Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javorë, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taxit. Megjithatë, realiteti është një varg gënjeshtrash pas gënjeshtrash, duke mbyllur rrugën përfundimisht. Kërkojmë një Prishtinë më të lirë dhe të përshtatshme për të gjithë. Ju lutemi, bashkohuni për një qytet më të mirë dhe më të hapur”./Klankosova.tv/KultPlus.com

Të ngjajshme