“Radio France”: Shqipëria, destinacion turistik në trend dhe i lirë

19 Mars, 2024 - 9:00 am

Shqipëria është kthyer në destinacionin e ri turistik në trend. Objektivi i vendit mesdhetar është të mirëpresë 14 milionë turistë në vit dhe ndoshta një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, shkruan Philippe Lefebvre në të përditshmen franceze “Radio France”.

Shqipëria vlerësohet si një destinacion i ri turistik dhe mbi të gjitha një vend i përballueshëm në brigjet e Adriatikut krahasuar me Italinë dhe Greqinë.

Sot vendi, i cili për 50 vjet ishte një nga më të izoluarit në botë, ka hapur dyert e tij me një objektiv të qartë të qeverisë në Tiranë: të mirëpresë të paktën 14 milionë turistë të huaj në vit.

Niseni turin tuaj duke vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, dhe zbuluar disa gjurmë të diktaturës së Enver Hoxhës.

Ato fillojnë me bunkerët e instaluar në qendër të kryeqytetit, të shndërruara së fundmi në galeri arti.

Më pas, vizitoni Muzeun Kombëtar të Përgjimeve e njohur si “Shtëpia me Gjethe” e hapur më 23 Maj 2017.

“Shtëpia me Gjethe” ishte, në të njëjtën kohë shtabi i përgjimeve telefonike të kryeqytetit ku agjentët e Sigurimit, policia sekrete, mund të ndiqnin veprimet e përditshme të 40 mijë familjeve.

Për më tepër, kjo ndërtesë kishte edhe reputacionin e një qendre torture nga e cila mund të arratiseshe vetëm… i vdekur.

Sot, aty ekspozohen të gjitha pajisjet e spiunazhit të përdorura më parë nga policia.

Ju mund të eksploroni sistemet e mikrofonave të fshehura në apartamente dhe në fund në hyrje, nuk mund të humbisni listën e të gjitha viktimave që jetuan ditët e fundit në “Shtëpinë me Gjethe”.

Por, nëse njohja e kësaj të shkuare tragjike është thelbësore për të kuptuar më mirë Shqipërinë sot, mos ngurroni të udhëtoni në vendin mesdhetar dhe ta zbuloni atë.

Të zbulosh Shqipërinë është shumë e thjeshtë, pasi vendi nuk është shumë i madh. Ju mund të arrini shpejt nga plazhet e Adriatikut në malin e Korabit, që arrin lartësinë 2753 metra.

Mos u largoni nga Tirana pa vizituar Selinë e Shenjtë të Bektashinjve, një degë disidente liberale e Islamit ku fjalët kyçe janë toleranca dhe respekti absolut për gratë, nuk është për t’u habitur në një vend ku të gjitha fetë duket se jetojnë në harmoni të përsosur.

Më pas, ju mund të merrni rrugën për në Berat dhe të zbuloni këtë qytet të klasifikuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s i quajtur ndryshe “qyteti i një mijë dritareve”.

Së fundi, përpara se të arrini në portin e Durrësit dhe plazhet e qytetit, mos humbisni të zbuloni vendndodhjen antike të Apolonisë të themeluar në vitin 588 para Krishtit, aseti numër një i vendit.

Të kalosh një javë në Shqipëri nuk kushton shumë. Ju mund të gjeni akomodime me 60 euro për person. Përsa i përket hotelit me pamje nga deti, çmimi më i lartë arrin në 90 euro nata.

Gjithashtu, ju mund të provoni dhe shijoni specialitetet vendase si, byrekët, djathërat dhe verërat. /atsh / KultPlus.com

Tiranë
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve i njohur si “Shtëpia me Gjethe”
Berat

https://www.radiofrance.fr/franceinter/podcasts/la-chronique-tourisme/la-chronique-tourisme-du-dimanche-03-mars-2024-8524038

Të ngjajshme