Rama: Berati, spektakël magjik ngjyrash mbi shtëpitë e lagjes Mangalem

25 Dhjetor, 2023 - 7:50 pm

Festat e fundvitit e kanë zbukuruar qytetin e një mbi një dritareve si asnjëherë më parë.

Dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike e kanë shndërruar Beratin në një qytet vërtet magjik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lagjja Mangalem, në natën e Krishtlindjes.

“Berati në një spektakël magjik dritash, ngjyrash, historish e tingujsh mbi shtëpitë e lagjes Mangalem”, tha Rama.

Ndriçimi me drita shumëngjyrëshe është realizuar edhe në dy urat mbi lumin “Osum”, në urën Goricës dhe “Urën e Varur”, dritat e të cilave kanë reflektuar si një ylber mbi lumë.

Bashkia e Beratit ka ndezur dritat e pemës tradicionale të Krishtlindjeve, e cila është vendosur këtë vit në mes të lagjeve muzeale “Mangalem” e “Goricë”, ndërsa vezullimi i dritave ka mbuluar gjithë qytetin.

Dritat dhe zbukurimet janë vendosur gjithashtu në të gjitha pemët përgjatë Pedonales së qytetit si dhe në lagjet muzeale, ndërkohë që edhe rrugët janë mbuluar nga dekori festiv./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme