Rama: Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, destinacion për t’u vizituar

17 Gusht, 2025 - 3:33 pm

Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, një prej monumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore në jug të Shqipërisë, është kthyer në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjete sociale pamje nga Mozaiku i Kishës Paleokristiane që gjendet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, në Gjirokastër, si një nga vendet që ia vlen të vizitohet, për vlerën e çmuar të trashëgimisë sonë kulturore.

“Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, një destinacion për t’u vizituar gjatë këtij muaji, ku mund të shikoni edhe “Mozaikun e Kishës Paleokristiane”, për të cilin specialistët e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës janë kujdesur ta bëjnë të vizitueshëm për turistët”, shkroi Rama.

Falë punës së përkushtuar të specialistëve të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, mozaiku i rrallë është restauruar dhe është bërë i vizitueshëm për publikun. Ky element shtesë pasuron më tej ofertën kulturore të parkut, duke ofruar për turistët një përvojë të veçantë dhe autentike.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane, i vendosur brenda hapësirës së parkut, është një dëshmi e rëndësishme e ndikimit të hershëm të krishterimit në këtë zonë. Punuar me mjeshtëri të lartë artistike, ai paraqet motive simbolike dhe dekore të periudhës së shekujve IV-V pas Krishtit.

Antigonea, e themeluar në shekullin e III p.e.s. nga mbreti Pirro i Epirit dhe emëruar në nder të gruas së tij, Antigona, ofron një pasuri të gjerë arkeologjike, përfshirë rrënojat e qytetit antik, muret mbrojtëse, shtëpitë karakteristike, si dhe elementë të kulturës urbane të kohës.

Vizitorët që zgjedhin të eksplorojnë këtë vend do të përjetojnë jo vetëm historinë antike të Epirit, por edhe bukuritë natyrore të luginës së Drinosit, që e rrethon parkun me një peizazh mbresëlënës.

Përmes investimeve të vazhdueshme dhe përkushtimit të institucioneve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, Antigonea po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një pikë referimi për turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme