Rama: Turizmi do të vijojë të rritet, duhet t’i përgjigjemi me profesionistë të kualifikuar

15 Nëntor, 2023 - 11:00 pm

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Dibër, u ndal tek turizmi, duke theksuar se ambicia është të kemi 20 apo 30 milionë turistë.

Sipas Ramës, turizmi është një industri e cila ka nevojë për burime njerëzore dhe në këtë drejtim ai u bëri apel prindërve të nxisin fëmijët e tyre drejt arsimit profesional, si rruga më e mirë për t’i siguruar një të ardhme fëmijëve të tyre.

“Këtu është hapur një derë e re oportunitetesh për turizmin për të gjithë, pasi është eksporti më i madh, që s’ke nevojë ta marrësh mallin nga këtu e ta çosh matanë detit, por të vinë ata këtu te ty. S’ka nevojë të prodhosh ushqim, çfarëdo qoftë, domate, apo ku ta di unë, dhe thua po dal poshtë t’i shes. Jo. Ti prodhon, i mban e i han turisti atje te ty. Dhe turizmi po kthehet në një industri dhe këtë vit deri tani kemi arritur 9 milionë turistë, në fund të dhjetorit mund të jenë 10 milionë turistë dhe ambicia jonë është 20 milionë, apo dhe 30 milionë turistë, nuk ka limit këtu”, tha Rama.

Por sipas tij, kusht është shërbimi, dhe ky sektor kërkon arsim profesional.

“Ana tjetër janë shërbimet, njerëzit me formim profesional. Është një zinxhir i tërë shërbimesh. Jo vetëm ai që hap hotelin dhe bujtinën, por ata që punojnë për të gjithë zinxhirin. Është fatkeqësi shumë e madhe që ua bëjmë fëmijëve, pa dashje apo nga dëshira e mirë, që i çojmë në gjimnaz apo universitet, për t’i lënë si pulë pa kokë në rrugë, pa asnjë zanat. Jo të gjithë mund të bëhen shkencëtarë, mjekë, juristë, ekonomistë etj., dhe s’ka nevojë për kaq shumë. Por shumëkush mund të bëhet zanatçi”, tha Rama.

“Dhe të marrësh një fëmijë, i cili s’i ka rezultatet ekselente, i cili i ka 5, 6, 7, dhe ta çosh në gjimnaz, është ta marrësh në qafë. Nëse atij fëmije i jep një shkollë profesionale, zanat, i jep mundësi që nesër të ketë jo vetëm një çelës për t’i hapur derën punës së tij, por edhe mundësinë për të hapur një biznes të vogël, që mund të bëhet i madh”, tha kryeministri.

“Ata që hapin biznese nuk janë shkencëtarë, por njerëz që kanë talente të çajnë rrugën në një fushë tjetër. Përse atëherë shoqëria dhe qeveria të mos i japi mundësi këtyre personave  të marrin zanate, pasi kush ka një zanat nuk është asnjëherë vetëm”, tha Rama.

“Rreziku më i madh që përballemi është të mos kemi mundësi të plotësojmë kërkesat e kësaj industrie për shkak të burimeve njerëzore të pakualifikuara. Duket një gjë e lehtë se po hapim një hotel, por pjesa kryesore është shërbimi”, tha Rama.

Ai u bëri apel prindërve që t’i drejtojnë fëmijët e tyre drejt arsimit profesional.

“Këtu takova nxënës të mirë të shkollës profesionale që lidhet me kodimin dhe këta pa mbaruar shkollën do punojnë nga këtu për jashtë vendit”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme