2 Gusht, 2025 - 10:35 am
Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj International Opera Festival” (RLIOF) po mbyllet me një natë gala madhështore, sot, më 2 gusht, në sheshin qendror të Prishtinës. “Rame Lahaj & Friends”, një mbrëmje muzikore e konceptuar si kulmi i gjithë festivalit, sjell një përjetim unik nën qiellin e hapur, ku muzika operistike takohet me emocionin kolektiv të një publiku të etur për art të vërtetë.
Krah tenorit Rame Lahaj, do të ngjiten në skenë sopranoja e famshme gjeorgjiane Nino Machaidze, një yll i skenave si La Scala dhe Metropolitan Opera, si dhe bas-baritoni italian Dario Russo, i njohur për mjeshtërinë e tij në interpretimin e repertorit klasik italian. Nën drejtimin e dirigjentit të shquar Roberto Rizzi Brignoli dhe të shoqëruar nga Orkestra e Operës së Kosovës, nata gala premton një repertor të fuqishëm, emocional dhe frymëzues.
Kjo mbrëmje e veçantë mban të gjallë moton e festivalit: “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” – një mesazh për përbashkim përmes artit, ku zëri bëhet urë mbi dallime, ndarje dhe paragjykime, si dhe kjo natë gala jo vetëm e demokratizon përvojën operistike, por edhe e shndërron qytetin në një teatër të hapur për të gjithë, ku opera nuk është privilegj, por pasuri e përbashkët.
Kjo natë përmbyllëse nuk është vetëm një koncert, është një deklaratë kulturore. Është dëshmi e mundësisë që Kosova jo vetëm të konsumojë artin botëror, por edhe ta krijojë atë, ta eksportojë dhe ta kthejë në identitet të vetin. Prandaj, “Rame Lahaj & Friends” është shumë më tepër se një natë e bukur operistike, është një akt krenarie, një gjest mirënjohjeje dhe një ftesë e hapur për të ëndërruar pa kufi.
Në një kohë kur arti shpesh sfidohet nga realitetet e ditës, RLIOF dhe nata e tij gala mbeten dëshmi se kultura është forca më e butë, dhe më e fuqishme, që kemi për t’u bashkuar si shoqëri. Në këtë frymë, Prishtina më 2 gusht nuk do të jetë vetëm kryeqyteti i Kosovës, por për një natë, kryeqyteti i operës./KultPlus.com