Reportazh: Shëngjini – ‘Plazhi i Kosovës’, gati të mirëpresë turistët

30 Maj, 2023 - 10:30 am

Flonja Haxhaj
Fotografitë: Era Berisha

Në brigjet e Detit Adriatik, në pjesën veriore të Shqipërisë, shtrihet plazhi i Shëngjinit. Me kodrinat e larta përballë që i japin një pamje edhe më pitoreske, plazhi i Shëngjinit vazhdon të jetë një destinacion dhe pikë referimi e turistëve në çdo stinë të vitit, e sigurisht gjatë sezonit veror, shkruan KultPlus.

Afërsia me Kosovën dhe mbipopullimi i ndërtesave shumë pranë plazhit nga pronarë dhe pushues kosovarë, ka bërë që ky plazh të njihet edhe me emrin tjetër ‘Plazhi i Kosovës’.

Që me të mbërritur në Shëngjin, era e lehtë dhe valët e detit të krijojnë  një iluzion se edhe natyra gjallërohet në një mbizotërim ndjenjash që derdhen afër brigjeve të detit duke u përplasur me njëra-tjetrën dhe njëkohësisht duke ofruar një qëndisje emocioni të pakrahasueshëm në kujtimet e secilit.

Plazhi i Shëngjinit gjendet vetëm 8 kilometra larg qytetit të Lezhës e në këtë qark përveç Shëngjinit, turistët mund t’i shijojnë edhe bukuritë e tjera siç janë Mrizi i Zanave, Shpella e Hutit, Shpella e Sukës së Vogël, Dritarja tektonike e Manatisë, Këneta e Kashtës, Rivat e Drinit, Biomonumente, Rrapi i Grykës, Rrepet e Kolshit, Rrapi i Pirajve, Lisi Markatonajt, Pylli i Shën Mërisë e shumë të tjera.

Shëngjini është një vend që ofron mundësi argëtimi dhe relaksimi për të gjitha moshat. Jo shumë larg nga ky plazh gjendet edhe Rana e Hedhun, e ku si çdo vit tjetër edhe sivjet, nga 1-6 qershor mbahet një prej festivalve më të mëdha të muzikës elektronike ‘Unum Festival’, një festival që mbledh të rinjtë nga të gjitha vendet e botës për të shijuar muzikën e DJ-ëve më të njohur nga i gjithë globi.

Përgjatë qëndrimit tonë në Shëngjin ne qëndruam në hotelin ‘Ermiri’, një hotel ky që përveç shumëllojshmërisë në ushqim, ofron edhe një ambient tejet luksoz dhe një afërsi pak metra me detin duke dhuruar një pamje mahnitëse.

Drejtori i Drejtorisë së turizmit në qarkun e Lezhës, Ronaldo Xhani, në një prononcim për media, tha se plazhi i Shëngjinit është një mundësi e mirë për të kaluar pushimet verore sidomos për çmimet që ai ofron.

“Shëngjini është një plazh potencial, këtu afër kemi edhe portin që viteve të fundit por edhe më parë, kalonin velierë që vinin që të pushtojnë edhe turizmin e detit, pra është një potencial kryesor duke kombinuar edhe atë modelin e turizmit, jo vetëm turizëm të bregdetit por edhe mundësinë që të jep Shëngjini për shëtitje me anije dhe guida detare” , u shpreh Xhani  i cili  më tutje u bën thirrje shqiptarëve të Kosovës që të vijnë në Shëngjin sepse mes shumë të tjerave, ky plazh then rekordin për çmime të arsyeshme, afërsinë e detit  me hotelet dhe Kosovën.

Ndërkaq, Paulin Zefim drejtor i trashëgimisë kulturore në Lezhë, tha se Qyteti i Shëngjinit përveç detit, plazhit, restaurantet dhe jetën e natës ofron edhe diçka më shumë se sa që ofrojnë vendet e tjera.

“Paketa turistike e Shëngjinit ka edhe diçka ekstra që rrallë gjendet në qyetete të tjera të Shqipërisë. Vetëm 8 kilometra nga këtu kemi Lezhën. E në kët rreth kemi 22 monumente kulturore të kategorisë së parë dhe të dytë duke nisur nga qyteti antik, nga muret antike, akrolisi, memoriali i vendvarrimit të Gjergj Kastrioti Skëndërbeut”, tha mes tjerash Zefi duke shtuar se 60 % e vizitorëve në këto monumente janë shqiptarë nga Kosova.

Ndërkaq, ju kujtojmë që plazhi i Shëngjinit mbledh më shumë se 1 mililon turistë në të gjitha sezonet e sidomos në atë turistik veror./ KultPlus.com

Të ngjajshme