“Sa u tund jeta”, aktivitet kushtuar desidentes Musine Kokalari në Gjirokastër

10 Shkurt, 2021 - 10:09 pm

Qendra Kulturore e Fëmijëve “Fato Berberi” në Gjirokastër organizoi sot aktivitetin e titulluar “Sa u tund jeta”, kushtuar disidentes Musine Kokalari.

Programi përfshinte një ekspozitë me portrete të saj si dhe interpretimin e pjesëve nga krijimtaria letrare dedikuar Gjirokastrës.

Një element i veçantë ishte interpretimi nga talentet e vegjël, i valleve tradicionale të dasmës gjirokastrite, bazuar në përshkrimin që i bën Musineja në botimet e saj.

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme