Sot fillon festa e Birrës në Korçë

18 Gusht, 2021 - 10:30 am

Policia e Korçës ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e festës së Birrës që starton sot në këtë qytet.

Më datë 18.08.2021 deri më 22.08.2021, në qytetin e Korçës, prej orës 18:00 deri në orën 24:00, në ambientet e brendshme të “Terminalit të Autobusave” në lagjen nr. 17, si edhe në ambientet e “Pazarit të Vjetër”, Korçë, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka marrë një sërë masash në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin dhe manifestimin sa më normal të këtij aktiviteti.

Policia njofton se do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve në të dy akset rrugore përkatësisht tek rrethrrotullimi përballë “Pazarit të Vjetër”; të dy akset rrugore pranë pallatit “City Center” drejt kryqëzimit të Maliqit dhe rrugës përballë “Ish-NPV”.

Bllokimi i akseve rrugore do të fillojë që prej orës 16:30 deri në orën 00:30, të çdo dite të organizimit të Festës së Birrës, nga kryqëzimi i fshatit Çiflig deri tek kryqëzimi i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Korçë; nga stadiumi “Skënderbeu” deri tek ASHK Korçë dhe nga kryqëzimi i ASHK Korçë, deri tek rrethrrotullimi i Voskopojës.

Qarkullimi i automjeteve brenda qytetit, do të kryhet përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti” dhe rrugës “Fan Noli”, ndërsa dalja nga qyteti do të bëhet nga stadiumi “Skënderbeu”, tek Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) Korçë, në drejtim të Tiranës.

Në të gjithë qytetin, në vendet që do të zhvillohet festa ku pritet të ketë grumbullim dhe qarkullim më të madh të njerëzve, në bulevardet kryesore dhe akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Rrugore, grupeve të FNSH-së, Forcave Speciale “Shqiponjat”, të cilët do të mbikqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve dhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cënojnë sigurinë publike. /oranews/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme