‘Syri i Kaltër’ destinacioni i mbi 185 mijë vizitorëve në 9 muaj

29 Tetor, 2023 - 11:00 pm

 I cilësuar si perla e turizmit veror, Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë ka tërhequr një numër të lartë turistësh gjatë këtij viti.

Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror,  duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha sot për ATSH-në se “pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2023, ka ardhur çdo muaj duke u rritur”.

“Që prej janarit deri në shtator “Syri i kaltër” u vizitua nga 185 305 vizitorë, nga të cilët  60 821 vendas dhe 124 484 të huaj”, tha Breshani.

Sipas tij, edhe gjatë muajit tetor ky park natyror vijon të tërheqë tursitë vendas e të huaj.

Breshani bëri të ditur se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shumë vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

“Gjithashtu Ministria e Turizmit dhe AKZM po punojnë për rritjen e shërbimeve te kjo pikë turistike në bashkëpunim edhe me bizneset e zonës”, tha Breshani.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Ai është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës.

Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

“Syri i Kaltër” tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme