Tesla miraton paketë të re shpërblimi për Elon Musk me vlerë 29 miliardë dollarë

5 Gusht, 2025 - 11:30 pm

Tesla ka miratuar një marrëveshje të re kompensimi për CEO-n e saj, Elon Musk, që përfshin një shpërblim në aksione me vlerë 29 miliardë dollarë. Kjo paketë e re synon ta mbajë Musk në krye të kompanisë deri në vitin 2027, në një kohë kur Tesla po zhvendos fokusin nga automjetet elektrike drejt teknologjive më të avancuara si robotaksit dhe robotët humanoidë, sipas Reuters.

Marrëveshja përfshin dhënien e 96 milionë aksioneve të reja, e cilësuar nga kompania si një “hap besimi” për të ruajtur paketën fillestare prej 50 miliardë dollarësh të miratuar në vitin 2018, por që u anulua nga një gjykatë në Delaware për shkak të parregullsive në procesin e miratimit.

Paketa e re do të hidhet në votim më 6 nëntor gjatë mbledhjes së përgjithshme të aksionarëve. Në dokumentet zyrtare të dorëzuara në SEC, Tesla shpjegon se Musk duhet të qëndrojë në një rol kyç ekzekutiv deri në vitin 2027 për të përfituar nga aksionet, të cilat nuk do të mund t’i shesë për të paktën pesë vjet.

Nëse gjykatat do të miratojnë përfundimisht marrëveshjen e vjetër të vitit 2018, paketa e re do të zbritet ose anulohet për të shmangur kompensimin e dyfishtë.

Marrëveshja ka shkaktuar debat të ri për etikën në kompensimet e nivelit të lartë. “Ky është vetëm një version i ri i një marrëveshjeje që një gjykatë e quajti të padrejtë,” tha eksperti Charles Elson nga Universiteti i Delaware-it.

Ndërkohë, Tesla po përballet me rënie të shitjeve dhe të vlerës së aksioneve, ndërsa Musk kërkon ta kthejë kompaninë në një lider të inteligjencës artificiale dhe robotikës./KultPlus.com

Të ngjajshme