Transformimi i Piramidës, Rutte: Simbol i jashtëzakonshëm për Shqipërinë

16 Tetor, 2023 - 11:00 pm

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi sot se transformimi i Piramidës në një qendër teknologjie dhe inovacioni është një simbol i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së Piramidës, ai tha se “në nëntor të 2021-shit pata mundësinë të vizitoja këtë Piramidë dhe në fakt u desh që të vishja rrobat e sigurisë sepse ishte një kaos i tërë dhe thashë, çfarë po ndodh për këtë do të duhen 10 vjet. Ndërkohë që për më pak se 2 vjet e keni përfunduar. Është vërtetë një arritje e madhe, përgëzime!”

“Ky është një simbol i jashtëzakonshëm, simbol për Shqipërinë, sidomos kur e kupton, siç u përmend më parë, se ishte parashikuar në fillim për Enver Hoxhën. Megjithatë është edhe një dëshmitare e heshtur e një vendi që ka vendosur të ngjitet në rrugën e progresit dhe e ka bërë sidomos sot”, u shpreh Rutte.

“Unë isha të premten e kaluar në Odessa me Volodymyr Zelenskyn, dhe në fakt të gjithë i kemi parë filmimet nga Gaza këto ditë, dhe jemi mjaft të shqetësuar. Pra, këto simbole që sërish na tregojnë se civilizimet që mund të ecin drejt rrugës së progresit janë veçanërisht të rëndësishme, sidomos këto ditë. Kështu që, faleminderit Edi, faleminderit Shqipëria që na jepni këto shembuj!” – theksoi kryeministri holandez.

Sot, vijoi ai, “patëm një takim të Procesit të Berlinit që duket si një gjë shumë e mërzitshme, por nuk është kështu. Procesi i Berlinit është një proces për t’i marrë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i sjellë më afër BE-së, për t’i integruar ata më tej, por edhe për t’i integruar në BE”.

“Mendoj që ky është një simbol thelbësor se ne duhet të punojmë së bashku në Evropë, me Ballkanin Perëndimor, po edhe më gjerë në Evropë. Na duhet të punojmë së bashku. Sidomos, dhe këtu si holandez jam shumë krenar, që një arkitekt holandez, Winy Maas, ka qenë qendror në këtë projekt”, nënvizoi ai më tej.

“Ajo çfarë duhet të përmend, dhe këtu do të mburrem pak për vendin tim, është se besoj se, veçanërisht tashmë që po flasim për energjinë e gjelbër, për transformimin digjital, për transformimin teknologjik dhe për gjithçka që do na duhet të bëjmë për tranzicionet tona energjetike, infrastruktura e fortë është jetike për ta bërë realitet këtë tranzicion”, tha Rutte.

“Mendoj për shembull zhvillimi i portit të Porto Romanos këtu në Shqipëri është një shembull i shkëlqyer dhe jam shumë krenar që edhe këtu janë të përfshira kompanitë holandeze në projektimin dhe zhvillimin e tij”, shtoi Rutte.

“Si vend, ne na është dashur të punojmë për qindra vjet dhe të luftojmë ndryshimet klimaterike, të luftojmë përmbytjet dhe të marrim tokë nga deti, e kemi bërë me sukses këtë gjë. Siç e thashë, Zoti krijoi tokën, holandezët krijuan Holandën, sepse kemi qenë nën nivelin e detit. Ndaj, jam veçanërisht i interesuar dhe mjaft krenar që një arkitekt holandez është kryesor në këtë projekt”, u shpreh Rutte.

“Sot patëm çeljen e Kolegjit të Evropës nga Bryzhi, që ka edhe vetëm një degë tjetër në Poloni dhe tashmë këtu në Tiranë. Kolegji i Evropës ka tashmë një shkollë këtu në Tiranë, çfarë nënkupton se në Tiranë, në Shqipëri, të rinjtë nga mbarë Evropa dhe nga vetë Shqipëria, mund të arsimohen për Bashkimin Evropian, për atë çfarë është e nevojshme për të qenë anëtare e suksesshme e BE-së”, përfundoi Rutte./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme