U shënua Dita e Internetit të Sigurt: Komunikimi i hapur me fëmijët çelësi kryesor për mbrojtjen e tyre

11 Shkurt, 2020 - 3:34 pm

Jeta Zymberi

Interneti është temë kyçe në ditët e sotme. Dita e internetit të sigurt këtë vit shënohet në më shumë se 150 vende të botës. Miliona njerëz i bashkohen ngjarjes “Së bashku për një internet më të mirë” përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të shumta, të organizuara nga të gjithë përkrahësit e ditës së internetit të sigurt. Njëjtë veproi edhe Kosova.

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, me moton ”Së bashku për një internet më të mirë”, Komiteti Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurt – KKDIS i udhëhequr nga Qendra për Studime të Avancuara shënoi ditën e internetit të sigurt.

Të interesuarit, që kryesisht ishin prindër, po dëgjonin me vëmendje se çfarë kishte përgatitur për ta paneli i cili përbëhej nga, Teuta Zymeri- Qendra për studime të avancuara – FIT, Petrit Tahiri – Qendra për arsim e Kosovës dhe Luana Malaj- nxënëse.

Qëllimi i këtij diskutimi ishte që të promovojë një përdorim të përgjegjshëm, të mirëfilltë, kritikues dhe kreativ të internetit dhe teknologjive, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëbisedim me prindërit rreth përdorimit të internetit nga ana e fëmijëve. Ndër të tjera, në këtë forum u bisedua rreth aktiviteteve online, rreziqeve potenciale dhe shenjave paralajmëruese kur një fëmijë mund të jetë në rrezik nga përdorimi i internetit.

Fillimisht fjalën e mori Teuta Zymeri e cila pasi falënderoi të pranishmit, tregoi se jo rastësisht kanë vendosur që këtë ditë ta shënojnë në këtë format, d.m.th përmes një bashkëbisedimi me prindërit, duke e ditur rëndësinë e prindërve në edukimin e fëmijëve sa i përket përdorimit të sigurt të internetit.

“Shpesh në punën time, ka ankesa dhe kërkesa nga prindërit rreth kësaj teme dhe për këtë vendosëm që ta bëjmë këtë bashkëbisedim. Duke e ditur që në epokën dixhitale, risitë janë duke avancuar çdo ditë, por me avancimin e teknologjisë edhe përdorimi i internetit nga ana e fëmijëve është duke u rritur vazhdimisht, në të njëjtën kohë edhe shfrytëzimi i të dhënave po monitarizohet në çdo kohë, kjo e bën edhe më komplekse përdorimin e internetit”, tha ajo fillimisht duke u ndalur tutje në disa pika kyçe ku fëmijët kanë më shumë rrezik nga interneti.

“Interneti po përdoret qysh në fëmijërinë e hershme. Aktivitetet online të fëmijëve të cilat më së shumti i kemi vëzhguar gjatë punës sonë, janë: mbrojtja e privatësisë, postimet në rrjetet sociale, mesazhet kërcënuese, bisedat online me njerëz të panjohur, si dhe lojërat e ndryshme, këto janë ato që fëmijët i përdorin më së shumti, por në të njëjtën kohë janë më të rrezikshmet. Të dhënat e fëmijëve tanë, janë çdo moment të rrezikuara nga keqpërdorimet e ndryshme.”

Tutje fjalën e mori Petrit Tahiri i cili tregoi që përmes këtyre aktiviteteve po mundohen të kontribuojnë në vetëdijesimin e përgjithshëm për të mirat që i sjell interneti por edhe rreziqet që i bartë, e kur flasim për rreziqet i kemi parasysh grupet që janë më të cenueshme, e në këtë rast janë fëmijët të cilët mund të jenë edhe viktima të keqshfrytëzimit të internetit edhe prej vetë atyre, por edhe prej dashakeqësve që e përdorin internetin.

“Sipas hulumtimeve që i kemi bërë, të gjitha të dhënat na dalin se problemet që manifestohen në shkollat tona ndërmjet bashkëmoshatarëve, në një apo formë tjetër, burimin e kanë te interneti – rrjetet sociale. Këto na sjellin në një situatë ku shtrohet pyetje, çka duhet bërë?

Po nuk ka një përgjigje konkrete, e rëndësishme është të kemi informatën dhe prindërit sidomos të jenë ata që i mbikëqyrin fëmijët e tyre se si e kalojnë kohën në një pajisje që ka qasje në internet. Përveç mbikëqyrjes, prindi duhet të ketë edhe vetëkontroll, sepse nëse vet e mban telefonin gjithë kohës në dorë, atëherë çfarë shembulli i jep fëmijës?”

Gjithashtu, gjatë këtij diskutimi u fol edhe për problemet që interneti i ka sjellë në shkollat tona.

“Interneti nuk po shfrytëzohet në mënyrën më të mirë. Në shkollat tona rrjetet sociale po përdoren pa kontroll edhe përkundër që janë bërë disa tentativa nga ministria ku ndalohet telefoni në hapësirat shkollore, po ajo ka mbet aty sepse nuk po gjen zbatushmëri. Por, nuk e di edhe sa është vendim i mirë, sepse po kërkohet ndalesë e ndalesa nuk është zgjidhje”, tha Petriti.

Ndërsa nga perspektiva e adoleshentes Luana Malaj, interneti përdoret shumë prej të rinjve dhe sjell shumë dobi.

“Për siguri unë mendoj që prindërit na kanë njoftuar me kohë që mos me i nda me askënd adresat e të dhënat tjera personale, por interneti mendoj që të plotëson, unë personalisht marrë informata për librat, interneti mundet me ma marrë kohën, por nëse unë jam e vendosur të lexoj, atëherë nuk e shoh si pengesë”, tha ajo. Por niveli i Luanës ndoshta është më i lartë se i shumë fëmijëve të tjerë, sepse sipas hulumtimeve, interneti shumë pak përdoret për ta ngritur nivelin e njohurive, më shumë përdoret për lojëra dhe rrjete sociale.

Fjalës ju kthye edhe njëherë Teuta Zymeri e cila tutje i shpalosi edhe disa këshilla.

Sipas saj roli i prindërve në këtë fushë, është t’i edukojë fëmijët se si ta përdorin internetin, të përfshihen në çdo aktivitet të fëmijëve nëse donë që fëmijën ta kenë të sigurt. Prindërit duhet të jenë të informuar se cilat rrjete sociale po i përdor fëmija më shumë, cili është Youtuberi që po i pëlqen më shumë, cila është loja që po i pëlqen, cilët janë shokët që po bashkëbisedon më shumë. Domethënë të gjitha angazhimet e fëmijëve në internet duhet të monitorohen prej prindërve por jo në formën e policit, por të bashkëbisedohet. Komunikimi i hapur me fëmijë është çelësi kryesorë i suksesit për mbrojtjen e fëmijëve, pohoi Teuta.

“Fëmijët duhet ta dinë që telefonin apo secilën pajisje që ka qasje në internet e kanë privilegj, ne si prind nuk jemi të obliguar të ju sigurojmë, e në momentin që e kanë privilegj ata duhet të dinë ta ruajnë. E kjo duhet të bazohet në një rregullore të familjes se si duhet përdorur dhe sa duhet përdorur interneti.”

Ndërsa sa i përket shenjave të cilat paralajmërojnë që një fëmijë është në rrezik nga përdorimi i internetit, aty u cekën disa nga to: kur fëmija shpenzon shumë kohë në internet, kur rrinë natën shumë, në momentin kur t’i i afrohesh dhe ai e mbyll pajisjen, ndryshimi i sjelljes, mossocializimi, mbyllja në vetëve, të gjitha këto u cekën si paralajmërime se kur një prind duhet të shqetësohet.

Kështu u hap edhe diskutimi me të pranishmit, ku pyetjet dhe përvojat që u shpalosën ishin nga më të ndryshmet, por si përfundim, nuk kishte një përgjigje konkrete ose rregulla se si duhet të veprohet në këto raste. Aty u tha që secili duhet të gjejë formën më të përshtatshme. Kryesisht u këshilluan për parime të përgjithshme e që janë: komunikimi, bashkëpunimi, mbikëqyrja dhe vetëkontrolli.

Si përfundim u këshillua që kjo çështje zgjidhjen më të mirë e ka duke ju ofruar mundësi për dialog të hapur fëmijëve, duke i mësuar ata si të përdorin teknologjitë në mënyrë pozitive dhe sigurt, dhe duke qenë vet model i mirë digjital – prindërit mund të luajnë një rol kyç në fuqizimin dhe përkrahjen e fëmijëve në përdorimin e internetit në mënyrë të duhur. / KultPlus.com

Të ngjajshme