Uganda planifikon dënim me vdekje për homoseksualët

12 Tetor, 2019 - 4:30 pm

Qeveria e Ugandës i ka bërë të ditura planet për miratimin e dënimit me vdekje për personat që kapen duke kryer marrëdhënie intime me personat e gjinisë së njëjtë, shkruan KultPlus.com

Projektligji i njohur në publik me emërtimin “Vrisni homoseksualët”, ishte hequr nga fuqia para pesë vjetësh, por qeveria tha se planifikon ta bëjë atë përsëri pjesë të legjislacionit brenda disa javëve.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, ky ligj do ta luftojë rritjen e marrëdhënieve të panatyrshme në vendin e Afrikës lindore.

“Homoseksualizmi nuk është i natyrshëm për ugandezët, por ka pasur rekrutim masiv nga njerëzit homoseksualë në shkolla, sidomos në mesin e të rinjve, ku ata po e promovojnë idenë e rrejshme se njerëzit linden me këto ndjenja”, tha ministri i etikës dhe integritetit, Simon Lokodo.

“Ligji i tanishëm është i kufizuar. Ai vetëm e kriminalizon veprimin. Ne duam të bëjmë të qartë se të gjithë njerëzit që përfshihen në promovim dhe rekrutim duhet të kriminalizohen. Ata që e bëjnë këtë akt do të dënohen me vdekje”, shtoi ministri.

Ai tha se projektligji është përkrahur edhe nga presidenti i vendit, Yoweri Museveni, dhe se do të dërgohet për miratim në kuvend në javët në vijim, duke shpresuar që votimi të ndodhë para vitit të ri, shkruan “Independent”.

Të ngjajshme