Vdes djali i piktorit Pablo Picasso

25 Gusht, 2023 - 10:20 pm

Claude Ruiz Picasso, djali i vogël i artistit spanjoll Pablo Picasso, ka vdekur në Zvicër në moshën 76-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, por nuk ka dhënë detaje mbi shkaqet e vdekjes.

Claude ishte një fotograf dhe regjisor filmi, i cili gjithashtu menaxhoi pasurinë e babait të tij nga viti 1989 deri në korrik të këtij viti, kur ia dorëzoi përgjegjësinë motrës së tij më të vogël, Paloma.

Claude punoi si asistent i fotografit të famshëm Richard Avedon për gati një vit dhe punoi si fotoreporter për Time Life, Vogue dhe revistën amerikane Saturday Review. Në vitin 2011 iu dha nderimi më i lartë i Francës, Legjioni i Nderit, për punën e tij si artist dhe si administrator i caktuar nga gjykata i pasurisë së babait të tij.

Picasso kishte katër fëmijë. Claude dhe Paloma ishin fëmijët e tij me artisten franceze Françoise Gilot, e cila vdiq në qershor në moshën 101-vjeçare. Djali i tij i madh, Paul, nga martesa me balerinën Olga Khokhlova, vdiq në vitin 1975. Maya, vajza e tij me modelen franceze Marie-Therese Walter, vdiq në vitin 2022.

Picasso ndërpreu kontaktet me Claude dhe Palomën pasi Gilot, ish-gruaja e tij, shkroi një kujtim për jetën e tyre së bashku. Ai u përpoq të parandalonte botimin e librit të saj të vitit 1964, me titull “Jeta me Pikason”.

Në vitin 1970, 22-vjeçari Claude paditi në Francë për t’u njohur si djali legjitim, dhe rrjedhimisht trashëgimtar. Gjykata vendosi në favor të tij dhe Paloma, vëllezërit e motrat u bënë trashëgimtarë të Picasso-s një vit pas vdekjes së tij në 1973.

Pasuria e Pikasos mbetet një nga dinastitë më të pasura në botën e artit. Kur Picasso vdiq në moshën 91-vjeçare në vitin 1973, ai la pas më shumë se 45,000 vepra, mes tyre 1,885 piktura, 1,228 skulptura, 7,089 vizatime, 30,000 printime, 150 libra skicash dhe 3,222 vepra qeramike. Ai la edhe miliona para. Në total, pasuria vlerësohej në 650 milion £ në atë kohë./KultPlus.com

Të ngjajshme