Vila 31 në rezidencë të artistëve, Rama: Mishërojmë të ardhmen duke mos larguar fantazmat nga muret

17 Tetor, 2023 - 3:00 pm

Vizita e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron vijoi sot me një takim në vilën e ish–diktatorit, e cila është hapur për artin, duke u shndërruar tashmë në një rezidencë artistësh në bashkëpunim me fondacionin prestigjoz francez “Art Explora”.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama u shpreh se “këto vende duhet të mishërojnë shpresën dhe të ardhmen, por duke mos larguar fantazmat nga muret”.

“Kemi përjetuar për shumë vite në një dilemë shumë të fortë për sa i përket të ardhmes së Piramidës, të ardhmes së kësaj shtëpie që gjatë gjithë rinisë sonë mishëronte të keqen, errësirën, një të kaluar që donte të ishte e ardhmja jonë, me kosto të pabesueshme. Shumica e njerëzve donin të fshinin gjithçka. Pati madje një pirje për ta shkatërruar piramidën dhe për ta shndërruar në një ndërtesë moderne për Parlamentin. Pati ide të ndryshme për këtë shtëpi, për ta shndërruar në një ndërtesë burokracie demokratike. Unë kam qenë gjithmonë kundër këtyre por në të njëjtën kohë isha i detyruar, i shtrënguar nga sfidat që duke përdorur këto vende, duhet të mishëronim shpresën dhe të ardhmen dhe në të njëjtën kohë, si mund të bëhej kjo duke mos larguar fantazmat nga muret”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “në këto mure duhej bërë gjithçka që urrente pronari i tyre i mëparshëm dhe gjithçka që ai donte të largonte”.

“Në fakt një nga gjërat më të urryera dhe më të urrejtshme të diktaturës dhe të Enver Hoxhës personalisht, ishte shprehja e lirë, të shprehurit lirshëm të artistëve dhe të krijuesve. Ne jemi rritur me parullën: ‘artistët janë ushtarë të partisë dhe arti është një armë në dispozicion të partisë’. Si përfundim, e vendosëm këtë dhe filluam të bënin disa hapa të vegjël, të ndrojtur duke hapur dyert e kësaj shtëpie për krijues të rinj shqiptarë, për regjisorë por megjithatë nuk arritëm, nuk arrinim ta largonim fantazmën në hije”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, vijoi ai, “nuk po e fshijmë plotësisht të kaluarën por e shndërrojmë të kaluarën në një burim energjish për ta nxjerrë më mirë në pah lirinë e shprehjes, për të konsideruar me shumë më tepër respekt, me shumë më tepër admirim, faktin e të jetuarit në një hapësirë lirie”.

Sipas tij, “nuk duhet të harrojmë kurrë që kjo liri nuk është diçka që merret e mirëqenë dhe që na është dhënë si fakt jete pa bërë asnjë beteje”.

“Besoj se sot mund të festojmë këtë mundësi, mundësinë që bashkojmë të kaluarën me të tashmen në shërbim të së ardhmes dhe t’u japim të gjithë të rinjve që do të vijën këtu, artistëve nga e gjithë bota, mundësinë për të kuptuar se për lirinë e krijimit të tyre, që ata të kishin liri krijimi, ka pasur njerëz që kanë vdekur. Ka pasur njerëz që kanë dhënë vite, që mund të jepnin vite nga jeta e tyre për të pasur një ditë liri, ka pasur njerëz që nuk mundën të merrnin frymë, që nuk mundën të bënin që ëndrra e tyre të merrte frymë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se kërkoi një projekt ku të mos shihej dora e arkitektit por të shihej vetëm ndryshimi i hapësirës nga errësira në dritë.

“Të krijohej energjia e lirë nëpër shtëpi ku kuptohet që ka pasur dikur një fantazmë , por që më në fund kjo hapësirë është e çliruar dhe fantazmën mund ta përmendim sa herë të duam, por ajo është në dispozicionin tonë, e kemi mposhtur. Jo ne në dispozicion të saj, shtoi ai.

Në përfundim, Rama i dha Presidentit Macron një bono me një kapital prej 200 mijë frangash.

“Një bono për një investim që ka qenë investimi i parë në historinë e Shqipërisë, për ndërtimin e një stacioni prodhimi energjish të rinovueshme, të financuar nga Shoqëria Gjeneralë e elektricitetet në Korçë ku në atë kohë të gjitha dokumentet, të gjitha procedurat, e gjithë burokracia ishte dhe në shqip dhe në frëngjisht”. Është një bono që ka një vlerë të rëndësishme, me një kapital prej 200 mijë frangash. Mund ta përdorini për të shtyrë Europën të investojë akoma më shumë në energji të rinovueshme në Ballkan”, theksoi ai./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme