9 Korrik, 2025 - 4:12 pm
“Njeriu absurd është ai që pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.”
-Albert Kamy
Diellza Gashi
Vepra letrare e Anton Pashkut, sidomos në kohën e shfaqjes së vet të parë ishte e re për letërsinë shqipe në të gjitha aspektet.
Pashku, fillim e fund e shkruan letërsinë si figurë, si kërkim të kuptimeve të thella jetësore e njerëzore, si strukturë të situatave simbolike dhe simbolizuese. Me refuzimin e formave klasike të të krijuarit letërsi, Pashku krijimtarisë së vet ia falë tiparet e formave post-moderniste, sidomos me krijimet e dramave absurde apo tragjedive moderne “Gof” dhe “Sinkopa”. Në fillimet e veta, absurdi, shihet si filozofi, që përçon një ide: mungesën e kuptimit. Pikërisht me këtë mungesë përballen personazhet e Pashkut.
Këto dy drama na vënë para një kërkimi, një pavetëdijeje, një dobësie duke shpërfaqur personazhe të rrënuara, të humbura, në kërkim të vetes dhe arsyes. Personazhet e Pashkut ndërtohen fund e krye si absurde: heronj me frikën për jetën. Personazhe të tjetërsuara e të shumëfishuara në alter-ego. Personazhe që në botë nuk krijojnë relacione me të tjerët, krijojnë relacione me veten. Vihemi para një Unë dhe një Uni si një Tjetër.
Nëse në tragjedinë klasike heroi paraqitet përherë në një rënie, në një disfatë, si një fajtor pa faj, një vetësakrificë për të tjerët, në tragjedinë moderne, në anën tjetër, nuk krijohen personazhe të ngritura me synim të vlerave morale. Karakter i kësaj tragjedie është përherë një karakter i thjeshtë që para konflikteve me kohën dhe botën, dalin konfliktet me veten. Po këto karaktere i hasim në dramat e Pashkut. Drama këto, të krijuara në variantin e absurdit tragjik duke në vënë para deformimeve shoqërore, melankolisë, demotivimit.
Pashku me veprat e tij arrin të krijoj një sfond më ndryshe të letërsisë shqipe, duke na vënë para filozofisë së absurdit si një kërkim i pandalshëm, një vend në të cilën personazhi nuk përket, një luftë mes vetes me veten, një ide në të cilën personazhi ka një qëndrim ekzistencial apo ndjenjë konfuzioni, orientimi a frike përballë një bote dukshëm të pakuptimtë.
Në të dy dramat e Pashkut, theksi bie mbi krizën ekzistenciale, që prek më së tepërmi shfaqjen e dyfishtë të identitetit të personazhve. Kjo krizë shënjon edhe thelbin e krijimit absurdist, përballja e vetes së rëndomtë me veten absurde. Kështu të dy dramat paraqesin konfliktin midis prirjes njerëzore për kërkimin e vlerave dhe kuptimit në jetë dhe paaftësinë njerëzore për t’i gjetur ato në një univers të pakuptimtë, irracional dhe kaotik, paraqesin botën si të egër, të hidhur, boshe. Botë në të cilën pohohet se ekzistenca njerëzore është në thelb një çështje e kuptimit dhe e gjetjes së kuptimit të jetës./ KultPlus.com