Arkivi shqiptar, pjesë e Portalit të Arkivave Europiane

13 Nëntor, 2018 - 9:00 am

Arkivat shqiptare kanë plotësuar kriteret dhe janë bërë pjesë e organizmit më vital të Bashkimit Europian në fushën e arkivave, ”Portalit të Arkivave Europiane”.

Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, përveç rezultatit konkret ndaj studiuesve dhe rritjen e mundësive për shkëmbimin e materialit arkivor, kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat europiane.

DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane, një nismë e financuar nga Bashkimi Europian, ku janë të përfshira të gjithë arkivat e vendeve të Bashkimit Europian dhe CEFTA-s.

Vendimi i marrë më 9 nëntor për pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota, e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Europiane.

Ky pranim është për ne si shqiptarë një tregues i njohjes së përpjekjeve të vazhdueshme të viteve të fundit për modernizimin e arkivave dhe rritjen e përdorjes së teknologjisë si forma e së ardhmes në shërbimin arkivor, shkruan ata.

Po ashtu, përbën një mundësi të veçantë të shkëmbimit mbarë europian të materialeve arkivore në shërbim të historisë kombëtare dhe historisë europiane./ KultPlus.com

Të ngjajshme