5 Shtator, 2025 - 1:00 pm
“The Great Gatsby” është bërë sinonim me festa, shkëlqim dhe glamour, por kjo është vetëm një nga shumë keqkuptimet që kanë ndjekur librin që nga botimi i tij i parë, në prill të vitit 1925.
Pak personazhe në letërsi, apo edhe në jetë, mishërojnë një epokë me aq këmbëngulje sa Jay Gatsby mishëron Epokën e Xhazit (Jazz Age). Gati një shekull pas krijimit të tij, romantiku i dënuar i F. Scott Fitzgerald është kthyer në një simbol të “flapper”-ave ekstravagante, burimeve të shampanjës dhe festave të pafundme. I shkëputur nga teksti që e solli në jetë, emri i tij sot qëndron mbi gjithçka: nga komplekset luksoze te xheli për flokët e deri te një parfum ekskluziv (me aroma të vetiver, piper rozë dhe lime nga Sicilia). Sot mund të ulesh në një kolltuk Gatsby, të qëndrosh në një hotel Gatsby, madje edhe të hash një “Gatsby sandwich”, në thelb një mega-version i një sanduiçi me patate.
Por, ndonëse kjo mund të tingëllojë qesharake, emërtimi i çdo gjëje sipas njeriut dikur të quajtur James Gatz është problematik. Ai ishte më shumë sesa një mikpritës ekstravagant, ishte gjithashtu kontrabandist, përfshirë në krime, dhe një ndjekës iluziv që me kalimin e kohës shfaqej gjithnjë e më i pashije dhe i dëshpëruar. Nëse ai përfaqësonte potencialin e “Ëndrrës Amerikane”, ai njëkohësisht shpalos kufijtë e saj: një njeri, fundi i të cilit ishte po aq i dhunshëm sa i pakuptimtë.
Keqinterpretimi ka qenë pjesë e historisë së këtij romani që nga fillimi. Në një letër dërguar mikut të tij Edmund Wilson, pak pas botimit të romanit në 1925, Fitzgerald ankohej se askush, as kritikët më pozitivë, nuk kishte kuptuar qëllimin e vërtetë të librit. Shkrimtarë si Edith Wharton e vlerësuan, por recensuesit popullorë e trajtuan si një roman krimi, dhe u ndjenë të zhgënjyer. Madje, gazeta New York World botoi një artikull me titull:
“Romani më i fundit i Fitzgerald, një dështim”
Romani shiti pak, dhe kur Fitzgerald vdiq në vitin 1940, kopjet e botimit të dytë kishin përfunduar në raftet e shitjeve me ulje çmimi.
Fati i Gatsby-t ndryshoi kur romani u përfshi në programin e shpërndarjes së librave për ushtarët amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Plot 155,000 kopje u shpërndanë falas, duke krijuar një audiencë të re. Në vitet ’50, përhapja e ëndrrës amerikane rriti edhe aktualitetin e romanit, ndërsa në vitet ’60 u bë pjesë e kurrikulave shkollore.
Që atëherë, Gatsby është bërë pjesë e pandashme e kulturës pop, sidomos pas filmit të vitit 1974 me Robert Redford. Termi “Gatsbyesque” (në stilin e Gatsby-t) u përdor për herë të parë në vitin 1977.
Filmi i Baz Luhrmann në vitin 2013 solli përsëri një valë interesi. Që nga skadimi i të drejtës së autorit në vitin 2021, “industria Gatsby” ka shpërthyer. Ndër projektet janë:
Një musikal me këngë nga Florence Welch (e Florence + The Machine);
Një tjetër musikal që vazhdon të luhet në Broadway dhe hapet së shpejti në Londër;
Romanë të rinj, si Nick nga Michael Farris Smith, që sjell historinë e narratorit Nick Carraway.
Smith, si shumë të tjerë, e lexoi librin për herë të parë në shkollë dhe nuk e kuptoi. Vetëm në moshë të rritur, duke jetuar jashtë vendit, ai ndjeu fuqinë emocionale të tekstit.
“Ndoshta nuk janë shampanja dhe vallëzimi ato që e bëjnë Gatsby-n të vlefshëm, por ndjesia e pasigurisë, e dyshimit për vendin ku ndodhemi në jetë, ndjesia që gjithçka mund të shembet në çdo moment,” thotë Smith.
Profesori William Cain nga Wellesley College thekson se Nick është thelbësor për të kuptuar romanin. Ai është narrator i pasigurt dhe shpesh ambivalent ndaj Gatsby-t, duke e ndërlikuar rrëfimin.
Në vitet ’60, kur Cain e lexoi për herë të parë, fokusi ishte te simbolet si drita jeshile dhe automjeti i famshëm i Gatsby-t, jo te vetë stili i të rrëfyerit.
Cain shton:
“’Ëndrra Amerikane’ është një forcë e fuqishme, por është shumë e vështirë për t’u realizuar nga shumica. Shumë e ndjekin me shpresë dhe sakrificë, por ajo shpesh është e paarritshme, dhe i kushton atyre më shumë se ç’mund të përballojnë.”
Romani ka edhe pika problematike. Për shembull, ndonëse kritikon hapur racizmin e Tom Buchanan, Fitzgerald përdor terma ofendues për afrikano-amerikanët. Po ashtu, personazhet femra janë të një-dimensionale, pa agjenci të vërtetë.
Por, autorë të rinj po i qasen kësaj trashëgimie me një sy të ri:
“Gatsby” nga Jane Crowther, me një Gatsby femër dhe Danny Buchanan mashkull;
“The Gatsby Gambit” nga Claire Anderson-Wheeler, një mister vrasjeje me motrën e re të Gatsby-t: Greta Gatsby.
Përkundër gjithë transformimeve, romani i Fitzgerald mbetet i fuqishëm. Siç thotë Smith:
“Mendoj se do të jetë gjithmonë një roman që evoluon në mendjen time, dhe që ndryshon varësisht nga kush jam unë në momentin që e lexoj. Kjo është ajo që bëjnë romanet e mëdha.”/BBC/KultPlus.com