Botohet libri me tregime “Në katin e tretë nuk troket askush” i Kliton Nesturit

9 Korrik, 2018 - 6:46 pm

Boutuesi i OSMCA 1, Luan Pengili thotë pa asnjë hezitim që është libri më i mirë i Nesturit në gjininë e tregimit, por gjithashtu është edhe një pasurim i letërsisë shqipe me një botim cilësor, shkruan KultPlus.

Ky libër përfshin tetë tregime të shkruara plot finesë ku ndeshen e takohen fate njerëzore, e ku secili prej tyre dallohet për origjinalitetin dhe ngjyrën që përcjell.

“Edhe në këtë libër, tek Nesturi spikatin ndjeshmëria artistike dhe mprehtësia krijuese, të cilat vijnë në një shkallë më të lartë. Ngjarjet e tregimeve të përfshira në këtë vëllim, rrokin një dimension të madh kohor, duke i përkitur epokave të ndryshme historike dhe sociale në jetën shqiptare përgjatë një shekulli. Në to, është fati i njeriut shqiptar, pavarësisht vendit ku është ndodhur dhe kohës. Rrëfimet karakterizohen nga nota dramatike, të cilat nuk vijnë si qëllim në vetvete, por si bashkudhëtare të zakonshme të jetës sonë. Edhe në këtë vëllim, Kliton Nesuri paraqitet si një autor i mprehtë ndaj temave sociale dhe shoqërore. Ai arrin të depërtojë thellë brenda botës psikologjike dhe shpirtërore të personazheve të tij, duke mundur t’i zbërthejë ata, mjedisin shoqëror dhe epokën në të cilën jetojnë në mënyrë sa më të plotë”, shprehet botuesi i librit./ KultPlus.com

Të ngjajshme