Disa mendime të Dritëroit për Fishtën dorëshkruar në vitin 2001, e krahason me Homerin

23 Tetor, 2020 - 3:15 pm

Sot në 149-vjetorin e lindjes At Gjergj Fishtën, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli ka ndarë me ndjekësit e saj disa dorëshkrime të Dritëroit për Fishtën.

Ndër të tjera, Dritëroi kishte shkruar në vitin 2001 se vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ndërsa e përfundoi shkrimin duke shkruar: Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…

Ky është shkrimi i plotë i Dritëroit:

Vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit . Të dy këto dokumente janë pranë e pranë. Ndërsa Kanuni është një Kushtetutë e mesjetës shqiptare, vepra e Fishtës është një hymn i primitivitetit shqiptar, i mesjetës me tërësinë e zakoneve dhe konstitucionit shpirtëror. Fishta e quante Evropën “ kurva e motit” jo vetëm se ishte fajtore e copëtimit të Shqipërisë, por edhe se po prishte jetën baritore primitive të shqiptarëve . Është e çuditshme se Naim Frashëri, shumë kohë para se Fishta të thoshte “Evropa kurva e motit”, pohonte se “dielli lind nga perëndon”, domethënë nga Evropa. Pra, Fishta Evropën e quan “kurvë” , Naimi e quan “ të dashur”. Po ta kini vënë re, shumë vjet më parë, fshatarët, vajzat e dashuruara me djemtë ndër qytetet e Evropës i shikonin me dyshim dhe iu dukeshin si çupa të përdala. Fishta, këtë mendim të fshatarit primitiv këndon dhe mburr. Dhe këtu qëndron edhe vlera e tij si letërsi. Homeri vërtet mburrte hovin primitiv të Akilit, por jepte edhe shpirtin delikat të Hektorit. Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…

Dritëro Agolli , 22 tetor 2001. /KultPlus.com

Të ngjajshme