Harmonia kaotike

16 Maj, 2025 - 10:50 pm

Nga kaosi /shqiptar/ na vijnë të gjitha të mirat e të këqijat, prandaj gjithkah organizimi i kaosit është mbresëlënës… Prandaj nuk duhet frikësuar kaosit, por mungesës së tij. Nuk duhet impresionuar as depresionuar, pasi në kaos realisht  nuk ka harmoni të dhunshme, sado që ka dhunë në harmoninë tonë kaotike.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Donkishotizmi dhe heroi Doni i Servantesit, nuk  janë thjesht dhe vetëm legjendë letrare, por janë edhe metaforë për betejën e përditshme të atyre që guxojnë të sfidojnë realitetin. Pikërisht në këtë sfond, figura e Don Kishotit të Servantesit merr kuptim të ri edhe në shoqërinë e Kosovës. Kishoti nuk është më thjesht një aventurist që lufton kundër mullinjve të erës, por thuaja plotësisht është metaforë për individin idealist që përballet me botën e strukturuar potencialisht negative dhe ndikuar nga pragmatizmi arbitrar dhe interesat e ngushta. Don Kishoti modern është edhe intelektuali që sfidon indiferencën kolektive.  

E po, përballë tij qëndron Sanço Pança, simbol i realizmit të vakët, i njeriut që pranon të përshtatet, që ndjek rrjedhën e rrëkesë së fortë, thënë, të lozhës së të fuqishmëve. 

Shoqëria moderne kështu prodhon donkishotë të rinj, të cilët etiketohen si “naivë” apo “idealistë të humbur”.  

Pse dhe si po  mbijetojnë edhe  Don Kishoti edhe Sanço Pança? Don Kishoti mbijeton tek idealistët që nuk ndalen së përballuri. Sanço Panço mbijeton tek ata që zgjedhin sigurinë personale përbrenda sfidës, që pranojnë status quo-në dhe përshtaten, duke e ndjekë strehën pragmatike si formë mbijetese. 

Në këtë kontekst edhe, interpretimi i Don Kishotit përtej tragjikomikes bëhet reflektim për realitetin tonë: një përballje e përjetshme mes idealizmit dhe pragmatizmit, mes ëndrrës dhe realitetit. 

Në përfundim, donkishotizmi në Kosovë më shumë se metaforë letrare është pasqyrim i realitetit shoqëror dhe politik, një shtysë a reflektim i mundshëm për dialog të hapur, ku Don Kishoti dhe Sanço Pança të mos jenë armiq, por bashkudhëtarë të sinqertë. 

Duke kërkuar shkakun, ekuivalenca e humb edhe arsyen dhe në këtë çast thërret të ndihmojë filozofi Nietsche, i cili jetoi në kaosin e madh, po të zakonshëm vallëzues mendor e shoqëror.  E vërteta mund të jetë atë që thotë ai: Secili njeri, secili popull, që të jetojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë kaosin, i cili gjendet brenda në “Unin” të tij. Përvoja zotëruese anon kah përvoja e mosshikimit real dhe mosorganizimi po real në këtë kaos.  

Po pëlqyeshëm me mendimin e Nietsches, frymëzuar madje, e mundshme po edhe nga ai, edhe psikologu shqiptar Branko Merxhani shihte vendin e tij të vogël dhe të strukturuar pafuqishëm po aq, në kaosin e përsëritur e të madh shqiptar. Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historiko-shoqërore të pakapshme. Trazimi dhe anarkia që mbretërojnë sot në gjuhën tonë, nuk janë veçse vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore, shkruan ai duke iu referuar problemeve serioze, edhe në kontekstin e  nocioneve nicheane, për të domosdoshmen e organizimit të kaosit. A është e mundshme të organizohet kaosi? E vërteta, të njihet përmbajtja dhe forma e kaosit? Pasi, përmbajtja e kaosit janë vetë njerëzit  që ushqejnë dhe vetë ushqehen nga ai.  

Pra, kaosi, duket një alfa e mbijetesës. Pa të, nuk do të kishte jetë, më sa peshku pa ujë. Nga kaosi shqiptar na vijnë të gjitha të mirat e këqija dhe të gjitha të këqijat e mira. Andaj , gjithkah organizimi i kaosit është mbresëlënës. E justifikueshme, të përkryera, vijnë tronditjet harmonike njëra pas tjetrës, qoftë si pritje a shpresë çasti shoqëror a natyror, qoftë si rikujtim i Morfeut, Zotit të Gjumit. Prandaj nuk duhet frikësuar kaosit, por mungesës së tij. Nuk duhet impresionuar as depresionuar. Pasi në kaos realisht  nuk ka harmoni të dhunshme, sado që ka dhunë në harmoninë tonë kaotike./KultPlus.com

Të ngjajshme