займ на карту онлайн потребительский кредит

Kadareja, i dashuruar pas Gjirokastrës së tij

19 Shkurt, 2020 - 11:30 pm

“Kronikë në gur”, “Breznia e Hankonatëve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Çështjet e marrëzisë”, “Ditë kafenesh”, “Princesha Argjiro”, “Aeroporti” – janë vetëm disa nga veprat e Kadaresë në të cilat pasqyrohet në mënyrë mahnitëse Gjirokastra e Kadaresë, shkruan KultPlus.

Këto vepra e kanë bërë të njohur shkrimtarin, madje disa e njohin Gjirokastrën si vendi antik i Kadaresë. Kadareja e mbart vendlindjen e tij kudo me vete.

Tek sa ecën në rrugicat intime me kalldrëm nuk mund të mos vësh re Kalanë e Gjirokastrës, që imponuese vështron mbi qytetin e gurtë.

KultPlus ka shkëputur disa nga fragmentet nga disa prej veprave të tij, se si ai e përshkruan në mënyrë mahnitëse qytetin ku ai kishte lindur:

“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pje­rrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rru­gës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumëçka ishte si në ëndrra.” (Kronikë në gur)

Ndërsa, ngjarja e poemës së Ismail Kadaresë “Princesha Argjiro”- zhvillohet në kështjellën e qytetit të Gjirokastrës.

Këtu janë disa vargje të poemës se si e ka përshkruar Kadareja, qytetin e tij:

Ti akoma nuk e di

se ka një qytet në Jug,

me oxhakë e me çati,

me shtëpi, përrenj e rrugë.

Ngjan ai me një shqiponjë,

që u gatit të fluturojë

por në çastin më të fundit

ndërroi mendje e krahët shkundi

dhe i hapi përmbi brigje

ura, rrugë, qoshe e shtigje.

Përmbi supe ç’mbajnë vallë?

Këto gërxhe radhë-radhë?

Një kala e lartë

si një vapor lufte,

noton ditë e natë,

mes shekujve tutje.

Si anije e zezë,

që pushon në rërë,

ngjan tani fortesa

e heshtur, e vrerët.

Dhe vërtet ka kohë shumë

që ka rënë ajo në gjumë

Gryka topash janë ndryshkur

e bedenat janë prishur

dhe në kulla e sharapolle

s’ka më roje, karakollë. /KultPlus.com

Të ngjajshme