Kastrati: Një popull që vetes i drejtohet në shumës, ndërsa bashkëbiseduesit në njëjës, ka mungesë elementare të dijes dhe arsimimit

17 Korrik, 2020 - 6:30 pm

Bujar Meholli

Artistët shqiptarë që vitet e fundit kanë ndjekur dinamikat e jetës kulturore shqiptare janë vënë para një paradoksi, në të cilin po u përpoqe të jesh vetvetja dhe ta bësh artin tënd, o do të lihesh krejt anash, mbuluar nga pluhuri i harresës, o medoemos do të pengohesh gjatë punës tënde. Fatkeqësisht tash e sa kohë, artistët, ata të vërtetit që përpiqen t’i ndryshojnë gjërat për të mirë pengohen e izolohen nga institucionet sikur në një nekropol. Pra, cili është shkaku i tërë kësaj situate vallë? 

Një shtet funksional investon në zhvillimin e jetës kulturore, për ta pasur shoqërinë e shëndoshë, sepse nuk ka jetë pa art, rrjedhimisht as shoqëri. Kultura shqiptare parë në përgjithësi gjatë viteve të fundit duket sikur ende s’i ka bërë vendin lirisë së shprehjes dhe hapjes, por sikur ka mbetur ende në njëfarë strehe diakronike.

Në shoqërinë kosovare, të jesh artist nuk është aspak e lehtë. Që të trasohet rruga drejt karrierës do të duhej një gjendje më e mirë sesa kjo që e ka pllakosur vendin, ku ekonomia e tregut është në situatë të vështirë, sikurse fuqizimi i artistëve përmes financimeve. Ndaj, mund të thuhet se ky sistem s’është tjetër veçse kaotik, nën të cilin shumë artistë siç është Arben Kastrati, ngelin të dëshpëruar. Sepse sistemi i ndërtuar në këtë mënyrë, artistët i vë në luftë për mbijetesë, derisa në anën tjetër vazhdon ripërtypja nga publiku.

Për të diskutuar rreth kësaj anomalie që mbretëron tash e sa kohë, vjen në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus artisti poliedrik Arben Kastrati, i cili bart pas vetes një bagazh të pasur artistik.

Aktor, regjisor, skenarist, shkrimtar e producent filmi është profili i tij. Mes një karriere të gjatë të ndarë mes ekranit televiziv, skenës së teatrit e letërsisë, Arben Kastrati është shquar për sensin e rebelizmit kundrejt sistemeve. Si një shpirt i lirë, ai ka luftuar e lufton për lirinë, ndaj Kastrati është vënë kundër padrejtësive sociale dhe lënies anash të njerëzve adekuat. Koncepti bazë i artit të tij, ka lirinë e të shprehurit. Por duke parë ndër vite zhvillimet socio-politike, Kastrati është i dëshpëruar me anarkinë, që sipas tij, është instaluar në vend dhe në institucionet kulturore.

“Grupet e interesit e kanë dëshmuar që nuk dinë të bëjnë asgjë, ndërsa unë nuk kam fuqi për të bërë ndërrime, por fuqinë e fjalës së lirë nuk mund të ma ndalë askush për ta gjykuar këtë trend negativ”, e nis ai bisedën.

Brenga e Kastratit është se njerëzit e ditur po lihen anash nga institucionet, madje ai konkludon se është krijuar njëfarë urrejtje patologjike ndaj tyre.

“Njerëzit e ditur të këtij vendi duhet të thirren, madje të luten nëse është nevoja, që të vijnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit. Ka njerëz të ditur në këtë vend, por fatkeqësia është se ata nuk duhen. Përkundrazi. Ka një urrejtje patologjike ndaj njerëzve të ditur, qoftë në ekonomi, mjekësi, shkencë, sport e kudo. Është njëfarë rezistence e madhe ndaj njerëzve të ditur, që ata mos kontribuojnë në vendimmarrje”, thotë ai duke vazhduar:

“Ka një degradim aq fyes ndaj dijes, saqë kur përmendet një intelektual, asocohet në diçka të keqe, asocohet në njeri të keq, të shëmtuar. Thjesht, njeriun e ditur e kanë shpërfytyruar”.

Tërë kjo situatë sipas tij s’është veçse trend i degradimit, i cili po del të jetë i thellë dhe ndikues në jetën kulturore kosovare.

Ky sistem i instaluar i të paditurve, i mbanë larg njerëzit e ditur, të cilët nuk i imponohen atyre, sepse janë të paditur. Drejt të diturve, mungojnë ofertat, që t’i marrin institucionet në duar dhe ta bëjnë vendin, sipas tij.

“Ekziston mënyra, por s’ka dëshirë dhe vullnet”, thotë Kastrati, teksa përmend të rinjtë që kanë kryer shkollimin nëpër Universitete prestigjioze por që anashkalohen. Në vend të tyre,  tash e njëzet vjet, mbështeten njerëz jo të duhur.

“Kjo shoqëri ka minimum 400-500 të rinj që kanë kryer shkolla në Universitete të prestigjioze botërore. Atyre duhet t’ju bëhet ofertë, që të vijnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e vendit. Por, ardhja e tyre do të sillte rregull, e rregulli ua ngushton hapësirat për vjedhje e manipulime, udhëheqësve të paditur politik të institucioneve”.

“Unë nuk shoh jetë kulturore në Kosovë, sepse nuk e shoh artin me dioptrinë e institucioneve por me sytë e mi. Ka tentativa individuale, mirëpo fatkeqësisht, ato nuk gjejnë mbështetje institucionale, sepse mbështeten vetëm vartësit e politikës. Ky sistem ka lëshuar rrënjë të thella dhe është vështirë të zhbëhet”, thotë Kastrati për projektet kulturore. .

Duke biseduar për këtë sistem dhe ndërtimin e jetesës, Kastrati kritikon Kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, i cili, sipas tij, nuk merret me problemet e shumta të kryeqytetit por me politikat nacionale që s’i takojnë.

“Këtu është anarki totale, duke u nis nga gjuha që përdoret në rrugë, ndërtimet që bëhen vend e pa vend, komunikacioni i tmerrshëm, ndotjet e të gjitha llojeve etj. Kemi një kryetar komune që shpeshherë më duket se ka karakter bipolar, flet diçka tjetër e vepron diçka tjetër, Kur e dëgjoj teksa flet Shpendin, kam përshtypjen që flet për një qytet të tij imagjinar. Në vend që të merret me problemet e pafundme të qytetit, ai merret me politikë nacionale dhe globale, flet për Japoninë e Kinën sepse këtu i ka kryer të gjitha punët, i kanë mbet vetëm problemet globale me i zgjidh”, shprehet ai, ndërkohë që ironizon me ekzekutivin.

“Ne qeveritë po i zgjedhim çdo stinë, e patëm një në vjeshtë, në dimër s’patëm (se bënte ftohtë), mandej bëmë një qeveri në pranverë, tani e kemi qeverinë e verës, në shtator do ta zgjedhim qeverinë e vjeshtës…Të gjitha qeveritë kanë besim të gabuar. Qeveritë krijohen për t’i shërbyer popullit dhe jo populli t’ju shërbej anëtarëve të qeverive”.

“Mënyra e ndërtimit të jetesës, ka shkuar përtej primitivizmit. Ne si popull jemi primitiv sepse jemi të paedukuar dhe të paarsimuar. Jemi një  popull, që vlera e klerikut primitiv është më e çmuar se ajo e akademikut. Një popull, që vetes i drejtohet në shumës, ndërsa bashkëbiseduesit në njëjës… Po që se e pranojmë faktin që jemi shoqëri primitive, kemi gjasa të ecim tutje…”

“I riu i sotëm, që nga lufta e këndej, ka parë vetëm bërllok në TV dhe në realitet, korrupsion e krim të organizuar, prandaj ai mendon se kështu duhet ndërtuar jeta, se kështu duhet ndërtuar e ardhmja. Duhet shumë punë për t’i ndryshuar gjërat, por me njerëz të duhur arrihet; duhet të instalohen ligjet dhe mbi të gjitha, duhet të instalohet  përgjegjësia, sepse ky vend jeton në papërgjegjësi totale. Në këtë vend, ende s’është dënuar askush për asgjë, as për korrupsion as për keq qeverisje. Këtu shqiptohen vetëm dënime për komunikacion”, konkludon ai.

Duke vënë një paralele mes kësaj kohe dhe së shkuarës, për Kastratin, me gjithë vështirësitë e kohëve të shkuara dhe atë pak liri që njerëzit kishin, e kanë shfrytëzuar maksimalisht, derisa në ditët e sotme lirinë e kanë shëmtuar.

“Kohë më parë s’kemi pasur liri për me kriju, por sot këtë liri, e kemi, e kemi të shëmtuar. Atëherë atë pak liri e kemi shfrytëzuar maksimalisht, ndërsa sot, këtë shpërfytyrim, e quajnë  liri, në të cilën na mohohet çdo e drejtë njerëzore dhe krijuese”.

“Mua, Qeveria e Kosovës m’i ka ndaluar xhirimet e filmit, jo Qeveria e Beogradit. Kolegët e mi, artistët e krijuesit janë bërë njësh me Qeverinë, që ta ndalojnë një projekt filmi. A ka gjë më të turpshme. Koha ka për ta vërtetuar kush ka pasur të drejtë. Me fondet që nuk janë të shtetit, s’kanë asnjë të drejtë të më ndalojnë krijimin, ashtu siç unë s’kam asnjë detyrim ndaj tyre. Në rastin tim, është shteti ai që do të fitonte. Por, ky shtet, në mënyrën më tinëzare, ashtu si edhe personazhet politike të tij, m’i ndaluan xhirimet 6 ditë përpara se të filloja me xhirime, në mënyrë që të dështoja. Megjithatë, e xhirova filmin në Shqipëri dhe Maqedoni Veriore dhe nuk dështova. Materiali i xhiruar filmik, është fantastik.  Yjet kinematografike kanë pranuar të vinë, sepse e kanë pëlqyer skenarin, të cilin QKK-ja e ka mohuar,  për shërbime politike”, thekson ai.

Tutje, Kastrati për lexuesit e KultPlusit rrëfen ardhjen e aktorit të madh Gérard Depardieu për të luajtur në filmin e tij “Unë dhe Millosheviqi”, teksa shpreh indinjatën me institucionet dhe mediat rreth etiketimeve që ia kanë veshur atij vet dhe aktorit francez.

“Gérard Depardieu e kanë etiketuar si spiun të Rusisë, agjent të Putinit, spiun të UDB-së,  e plotë idiotizma të tjerë, në vend që ta mbështesin, sepse një aktor i kalibrit të tij nuk ka xhiruar ende në Ballkan. E shanë, e etiketuan dhe tentuan ta bastardojnë personalitetin e tij. Sa që ai, më tha “Çfarë borxhi i kam Kosovës?”. Edhe mua më shanë dhe më quajtën tradhtarë. Por, unë tani nuk kam asnjë varësi prej tyre”.

Në mesin e kësaj zallamahie ku publikut i servohen gjëra pa vlera artistike, njeriu mund të bëhet i famshëm fare lehtë sepse i ofrohen mundësitë për një gjë të tillë. Kur flet për këto çështje, Kastrati është sarkastik, emisionet televizive i quan bërllok.

“Woody Allen thotë: Ne në LA nuk e gjuajmë bërllokun, e shndërrojmë në emisione televizive. Kjo thënie vlen këtu. I gjithë bërlloku konvertohet në programe televizive. S’kam durim me i pa sepse është humbje kohe, dhe shtim i dozës së nervozës”.

Ndaj dhe ka vendosur të heq dorë nga këto dhe jeton në botën e tij siç thotë:

“Jetën time dua t’ia kushtoj krijimit, Kam bërë shkëputje nga përditshmëria sepse kam një qëllim, të krijoj. Unë jetoj në Prishtinë, por realisht nuk jetoj në Prishtinë. Jetoj në botën time, sepse anarkia totale që mbretëron në përditshmërinë tonë, njeriun me një dije normale, e çmend”.

Kah fundi i kësaj bisede Arben Kastrati shpalos planet e tij për të ardhmen. Ai tregon se në muajin shtator duhej të fillonte një film dhe një serial me Netflixin, por që janë projektet janë pezulluar për shkak të pandemisë. Gjithashtu, Kastrati po përgatit një skenar filmi për një kompani të madhe amerikane, në të cilin do të luan një aktor i madh amerikan.

Preferencat e tij artistike dhe modelet që ai ka ndjekur gjatë karrierës së tij janë të shumta. Më të mirët sipas tij, janë ata artistë që punën e tyre e bëjnë me pasion.

“Sa i përket letërsisë, shkrimtarët Dostojevsky dhe Faulkner të preferuarit e mi. Natyrisht, ka dhe shumë shkrimtarë të tjerë që i lexoj me shumë kënaqësi, por këta dy i kam lexuar dhe rilexuar dhe më kanë fascinuar me qasjen e tyre ndaj personazheve dhe stilin e shkrimit”. Kurse në muzikë dhe film, thotë se ka shumë artistë që i bëjnë përshtypje. Flet për aktorët e tij të preferuar; Robert Duvall, Al Pacino, Jack Nicholson… Për muzikantin e tij të preferuar Tom Waits. Për një muzikant ai flet me shumë admirim.

“Ennio Morricone është një ndër të paktit gjeni, i cili fatkeqësisht iku. Më herët iku Umberto Eko, i cili në intervistën e tij të fundit, thoshte që e urrente njerëzimin. Unë nuk e urrej ende njerëzimin, por dua të kem kontakte sa më të pakta me njerëzimin. Unë kam një qenush, quhet Boo, i cili kur bënë ndonjë gabim, e qortoj duke i thënë: mos u bë njeri… /KultPlus.com

Arben Kastrati

Të ngjajshme