Lasgushi për vitet kur ishte student në Graz: Duhej të vija në vend nderin e Shqipërisë

18 Nëntor, 2020 - 9:33 am

Nga Marie Lasgush Poradeci

Bisedë me babanë tim, Lasgushin, për vitet kur ishte student në Graz (Austri)

– Ishte i bukur Grazi, baba?

– Unë jam mrekulluar nga ai vend!

– Të bukura ishin gratë?

– Jo! Femrat austriake nuk ishin të bukura, po ato ishin nimfa.

– Po ti baba, pse nuk u martove me një austriake?

– Sepse unë doja të martohesha me një shqiptare, t’ia bëja këtë nder një femre shqiptare jo një femre të huaj.

– Më trego diçka për familjen ku ti ndenje me qira për 10 vjet.

– E zonja e shtëpisë quhej Elisabet Pichler. Ajo ishte vejushë dhe kishte tre fëmijë, dy djem, Carolin dhe Richardin dhe një vajzë, Elfridën. I shoqi kish qenë nëndrejtor i operës së Grazit dhe kish vdekur shumë i ri. Banonin në një ndërtesë tre katërshe në rrugën Klosterwiesgasse nr 74, në katin e parë.

– Po si e gjete ti baba këtë shtëpi me qira për të banuar?

– Pothuajse të gjitha familjet e Grazit lëshonin dhoma me qira për studentët. Njoftimi botohej në gazetën e qytetit. Pashë lajmërimin dhe vajta të shikoj shtëpinë. Tek dera shkruhej “Scharfer Hund” (qen i egër). I rashë ziles. Derën ma hapi një zonjë rreth 40 vjeç. Mbasi u përshëndetëm (më parë ajo kish mbyllur qenin në një dhomë tjetër) e pashë dhomën dhe më pëlqeu shumë. Zonja e shtëpisë më tha: Ku e keni valixhen me rroba? – Në hotel – iu përgjigja. Ajo vazhdoi: Meqenëse ora nuk ka shkuar akoma 12 e natës mund ta sillni sonte këtu, sepse pas orës 12 të natës fillon pagesa në hotel, unë mund t’iu përgatis edhe një darkë të ftohtë. Ramë dakord me të zonjën e shtëpisë për gjithçka dhe kur po dilja ajo tha: Më falni ramë dakord, por unë nuk ju pyeta se çfarë kombësie jeni? Shqiptar, zonjë e nderuar – ju përgjigja. Djali i saj rreth 10 vjeç, që dëgjonte bisedën tonë bërtiti – Skanderbeg! Kurse ajo e tronditur tha: – Më falni nuk mund t’ju pranoj, kam pasur edhe shqiptarë të tjerë dhe kanë ikur pa më paguar. Unë u skuqa dhe u turpërova shumë. Duhej të vija në vend nderin e Shqipërisë. U përgjigja: – Do të ketë qëlluar ndonjë zonjë, se edhe grataçelat 100 katshe kanë cllosetin (wc) e tyre. Po unë do të rri muajin e parë dhe në qoftë se nuk do t’ju pëlqejë unë do të largohem. Unë kam vetëm një kusht, kur të mos jem në Universitet jam në shtëpi dhe kur të mos jem në shtëpi jam në Universitet, në qoftë se kjo nuk ju pëlqen ma thoni. “Jo, jo, ne tamam një djalë kështu duam, u përgjigj e zonja e shtëpisë”. Dhe mbas disa vjetësh kur festonim Krishtlindjen ajo i thoshte një shoqes së saj që kish ardhur për vizitë: “Sa turp më vjen përpara zotit Doktor që i kam thënë atëherë nuk ju pranoj, ky është kaq i mirë dhe korrekt sa na i kalon edhe ne gjermanëve”.

– E pra ti baba fillove të jetoje në shtëpi të tyre dhe të paguaje qiranë për dhomën tënde.

– Po, në fillin unë paguaja qiranë vetëm për dhomën, por më vonë paguaja dhe për ushqimin dhe larjen, pra për gjithçka, u bëra si i shtëpisë. Frau Elsi, kështu e thërrisnin atë miqtë dhe të afërmit e saj, ishte një grua e shkëlqyer, një nikoqire e vyer. Ajo dhe shamitë e xhepit i arnonte! Shumë herë, kur nuk isha mirë me shëndet, qëllonte që ajo ma shërbente mëngjesin në shtrat. Gjithmonë më gjente duke lexuar. Akoma kujtoj zërin e saj kur thoshte: – Zoti im, ndonjë ditë kur të hy në dhomën tuaj nuk do t’ju gjej ju në shtrat, po do të shikoj që jeni transformuar në libër.

– Më trego diçka për fëmijët e saj?

– Po, ata ishin mjaft të edukuar. Nuk dëgjova kurrë të ziheshin në shtëpi. Kishin një respekt të jashtëzakonshëm për nënën e tyre.

– Po ti bisedoje me ta, domethënë bënit muhabet?

– Po si jo! Po më shumë më pëlqente të ngacmoja Richardin, djalin e saj të vogël i cili ishte një shpirt romantik dhe e adhuronte racën gjermane. Për të ma bërë qejfin mua, njëherë bëri edhe një poezi ku thoshte:

Ilir jam unë,

Shkëmb,

Si shkëmbi nga i cili kam dalë.

Sikur të më jepej mundësia dhe të dilja njëherë jashtë shtetit, dëshira ime e vetme është të vete tek varri i saj dhe ti vendos një tufë me lule. / KultPlus.com

Të ngjajshme